zoom

Bota

Pandemia globale merr fund brenda një viti?

Pandemia e koronavirusit mund të marrë fund brenda një viti. Vlerësimi është i Stefan Bonselit, drejtorit ekzekutiv të gjigantit amerikan të farmaceutikës Moderna, i cili në një intervistë për të përditshmen zvicerane Noje Cyrsher Cajtung thotë se zgjidhjen po e sjell imunizimi anti-Covid i popullatës globale përmes vaksinave dhe kalimit natyral të infektimit.

Sipas tij, kapacitetet e prodhimit të vaksinave në shkallë globale janë rritur sidomos gjatë këtyre 6 muajve të fundit. Deri në mesin e vitit të ardhshëm, sqaron Bonsel, do të ketë mjaftueshëm doza për imunizimin  e gjithë popullatës globale.

Drejtori ekzekutiv i Modernës shprehet se qeveritë botërore duhet të lejojnë vaksinimin për të gjitha moshat, përfshirë edhe fëmijët. Po ashtu ai rekomandon lejimin e injektimit edhe të dozave përforcuese çdo vit, sikurse ndodh me imunizimin e popullatës kundër gripit.

Vaksinat e Modernës që kanë të njëjtën metodologji për krijimin e imunitetit si ato të Pfizer-BioNTech me lajmëtarin e ARN-së, po përmirësohen për të rritur efektivitetin e mbrojtjes kundër variantit Delta – thotë Bonsel.

 

Stefan Bonselit

 

Burimi: Tv Klan