Aplikacion
Edhe këtë sezon turistik, beach club-i “Moyo” në zonën e Drimadhes është në qendër të ankesave për nivelin e lartë të muzikës gjatë natës.
Pushues dhe banorë të zonës raportojnë se muzika vijon deri në orët e para të mëngjesit, në disa raste edhe deri rreth orës 05:00, duke krijuar shqetësime për ata që kanë zgjedhur rivierën për pushime.
Në rrjetet sociale nuk mungojnë videot dhe komentet e turistëve që ankohen për zhurmën gjatë natës, ndërsa edhe më herët Zoom.al ka raportuar për të njëjtën problematikë nga “Moyo” dhe bare të tjera në bregdet.
Por së fundi, Moyo ka rrethuar edhe plazhin. Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë se si i gjithë plazhi, që duhet të jetë publik për shkak se Moyo nuk është strukturë hoteliere, është bllokuar me struktura metalike.
Këto skena kanë shokuar edhe pushuesit, vendas e të huaj, të cilët pyesin se si shteti nuk reagon përballë një abuzimi të tillë, ditën për dielli.
Kryeministri Edi Rama kishte premtuar se beach bar-et nuk do të lejohen të mbajnë muzikë përtej mesnatës, si pjesë e masave për një sezon turistik më të qetë.
Po ashtu, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka folur shpesh për një Shqipëri që synon të bëhet “princesha e turizmit mesdhetar” dhe premton standarde europiane për sektorin, por realiteti në terren duket se nuk përputhet me këtë vizion.
Balla është dëgjuar shpesh këto kohë duke thenë se “duhet të kujdesemi për turistët”, një deklaratë kjo që shtron pyetjen nëse duhet kujdesur edhe për turistët që duan të flenë e që Moyo i mban zgjuar deri në 5 të mëngjesit?
Pushuesit ankohen se muzika në “Moyo” vazhdon pa limit dhe në kupë të qiellit, edhe pse ligji e lejon atë deri në mesnatë dhe jo më shumë. Për shumë prej tyre, turizmi elitar nuk matet vetëm me resortet dhe shifrat e turistëve, por edhe me respektimin e qetësisë, ligjit dhe të drejtës për të pushuar.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga administruesit e subjektit apo nga institucionet përgjegjëse lidhur me ankesat për zhurmën dhe respektimin e orareve të lejuara për aktivitetet muzikore apo për rrethimin e plazhit me struktura metalike. Zoom.al mëson se Moyo po bëhet gati për një festival, muzika e të cilit pritet t’ua bëjë të pamundur turistëve ditët e pushimit në Drimadhe.
Nga ana tjetër, favorizimi që i bëhet Moyo-s nga policia, ka shqetësuar edhe bizneset e tjera në zonë, për shkak se policia po ndërhyn në treg duke krijuar konkurrencë të pandershme. Pas mesnate vetëm Moyo lejohet të bëjë muzikë, ndërsa lokaleve të tjera u shkojnë patrullat e policisë në derë.
Kryeministri Rama doli dje dhe u dha shqiptarëve besën se do të qeverisë më mirë, por besa duket se është shkelur që në ditën e parë me favorizimin që u bëhet bizneseve që kanë lidhje me të apo me njerëz pranë tij. /Zoom.al
Investigimi/ Si mafia përdor macet për t’i vënë flakën pyjeve për të blerë tokat e djegura