Aplikacion
Një vendim arbitrazhi ndërkombëtar po kthehet në një çështje të re financiare për Shqipërinë.
Fondi ndërkombëtar i financimit të konflikteve, Omni Bridgeway, ka fituar në Gjykatën Federale të Uashingtonit të drejtën për të zbatuar një pagesë arbitrazhi prej gati 13 milionë dollarësh kundër shtetit shqiptar, duke hapur rrugën për sekuestrimin e pasurive shqiptare në SHBA.
Historia nis në vitin 2017, kur kompania GBC Oil, e regjistruar në Ishujt Kajman, paditi Shqipërinë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC). Shkaku lidhej me një marrëveshje për shfrytëzimin e fushave naftëmbajtëse, ku GBC Oil pretendoi se shteti kishte shkelur klauzolën e stabilitetit fiskal dhe kishte marrë nën kontroll fushat pa respektuar detyrimet kontraktuale. GBC Oil kërkoi fillimisht 113 milionë dollarë dëmshpërblim, më vonë të reduktuar në rreth 87 milionë dollarë.
Pas tre vitesh proces, në korrik 2020, gjykata e arbitrazhit dha vendim në favor të GBC Oil, duke i njohur të drejtën për dëshmpërblim në vlerën e 12.6 milionë dollarëve plus kostot gjyqësore dhe interesat prej 5%. Megjithatë, arbitrazhi nuk pranoi pretendimin e kompanisë për rikthimin e fushave naftëmbajtëse në menaxhim privat, duke e kufizuar shpërblimin vetëm në dëmet financiare.
Si hyri në lojë Omni Bridgeway
Në maj 2023, GBC Oil ia shiti të drejtën e shpërblimit fondit ndërkombëtar Omni Bridgeway, një nga aktorët kryesorë globalë të financimit të mosmarrëveshjeve dhe arbitrazheve. Fondi, i njohur për blerjen e vendimeve të fituara dhe ndjekjen e tyre ndaj shteteve debitorë, nisi menjëherë procedurat për zbatim në SHBA, duke përdorur Konventën e Nju Jorkut mbi njohjen e vendimeve të arbitrazhit.
Në korrik 2023, Omni depozitoi kërkesë në Gjykatën e Distriktit të Kolumbisë, duke kërkuar që vendimi i ICC të njihte fuqi detyruese në territorin amerikan. Ky hap është standard për rastet kur një shtet refuzon të paguajë vullnetarisht një vendim arbitrazhi, duke detyruar palën tjetër të kërkojë sekuestrim pasurish jashtë vendit.
Më 14 shkurt 2025, gjykata federale e Uashingtonit pranoi kërkesën e Omni Bridgeway duke dhënë një “default judgment” pasi pala shqiptare nuk u paraqit për mbrojtje. Gjykata argumentoi se Ligji mbi Imunitetin e Shteteve të Huaja (FSIA) nuk e mbron Shqipërinë në këtë rast, pasi çështja bie nën përjashtimin për arbitrazh. Po ashtu, Konventa e Nju Jorkut detyron SHBA-në të njohë vendimet e arbitrazhit të dhëna kundër shteteve nënshkruese.
Shuma përfundimtare e detyrimit të miratuar nga gjykata është 12,966,545.85 dollarë amerikanë, e përbërë nga:
• 12.57 milionë USD (dëmet themelore pa interes),
• 367 mijë USD (kostot gjyqësore në dollarë me interes),
• 21 mijë USD (kostot në euro të konvertuara në USD me interes).
Çfarë do të ndodhë më tej?
Vendimi hap rrugën që Omni Bridgeway të kërkojë sekuestrimin e pasurive të Shqipërisë në SHBA, duke përfshirë fonde bankare, prona shtetërore apo çdo aset që nuk mbrohet nga imuniteti diplomatik. Përvoja e ngjashme me vende të tjera tregon se këto procese zgjasin, por zakonisht përfundojnë me pagesë ose me marrëveshje.
Ky rast është vetëm njëri nga disa arbitrazhe ndërkombëtare ku Shqipëria është palë dhe ka humbur, duke ngritur edhe njëherë dyshime të forta për transparencën dhe mungesën e profesionaliit në kontratat publike.
Në këtë rast, një marrëveshje e lidhur për shfrytëzimin e naftës, përfundoi në një dëm financiar prej gati 13 milionë dollarësh, që do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.
Pasoja për Shqipërinë
• Financiare: Pagesa do të rëndojë mbi taksat e qytetarëve nëse shteti nuk arrin të negociojë një zgjidhje.
• Imazhi ndërkombëtar: Shqipëria shfaqet si një vend i pasigurt kontraktualisht, duke dëmtuar reputacionin në sytë e investitorëve të huaj.
• Praktike: Pasuritë shqiptare jashtë vendit mund të bllokohen ose sekuestrohen, duke sjellë pasoja diplomatike dhe ekonomike.
Shqipëria dhe rastet e tjera të humbura në arbitrazh
Rasti i Omni Bridgeway nuk është i vetmi që rëndon mbi financat e shtetit. Në vitin 2019, Shqipëria humbi edhe procesin arbitrazhi ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti, ish-pronar i televizionit Agon Channel. Gjykata e Bankës Botërore (ICSID) e detyroi qeverinë shqiptare të paguante mbi 110 milionë euro dëmshpërblim, pasi gjeti se shteti kishte shkelur marrëveshjet ndërkombëtare të mbrojtjes së investimeve.
Ky precedent, së bashku me rastin aktual, dëshmon se Shqipëria po akumuluar fatura të majme në arbitrazhe ndërkombëtare, që në fund do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. /Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit