zoom

Ekonomi

Becchetti ekzekuton gjobën në Belgjikë, përmbaruesi merr 110 milionë euro nga Eurocontro

Saga e sherrit personal të Edi Ramës me Francesco Becchettin ka përfunduar me një fund shumë të hidhur për qytetarët shqiptarë.

Biznesmeni italian ka ekzekutuar gjobën 110 milionë euro të arbitrazhit në Belgjikë duke marrë të gjitha paratë e hapësirës ajrore të Shqipërisë, të cilat mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol, që prej dhjetorit të vitit 2020.

Tre ditë më parë, Eurocontrol ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol se përmbaruesi i Becchettit ka ekzekutuar vendimin e arbitrazhit, pas vistos që mori nga gjykata belge. Ndonëse njoftimi mbahet rreptësisht sekret, Kapitali e konfirmoi lajmin nga tre burime të pavarura në ministri të ndryshme, por edhe në Belgjikë.

Njoftimi i Eurocontrol për ekzekutimin e gjobës ka ardhur si bombë në qeveri. E vendosur para faktit të kryer, qeveria ka tentuar të zbusë situatën duke shpërndarë në mënyrë të koordinuar në media një lajm se Becchetti ka korruptuar gjykatësit e Arbitrazhit dhe vendimi është marrë me korrupsion. Për këtë, qeveria ka shpërndarë dhe një investigim të kontraktuar nga ajo, ku shfaqen dëshmi të disa personave, të cilët thonë se Becchetti caktonte gjyqtarët e arbitrazhit dhe u ngrinte biznese familjarëve të tyre.

Por përtej këtij fakti, tashmë rezultati është përfundimtar. Me gjithë përbetimet e Edi Ramës dhe shpurës së oborrtarëve të tij se Francesco Becchetti nuk do të merrte asnjë qindarkë, biznesmeni italian i mori qytetarëve shqiptarë plot 110 milionë euro në këmbim të asgjëje.

Dëmi më i madh në histori

Fatura e kripur 110 milionë euro që Becchetti u mori qytetarëve shqiptarë është dëmi më i madh në historinë e Shqipërisë. Ky dëm ka përgjegjës me emra konkretë, të cilët gjenden të gjithë në vendimin e Gjykatë së Arbitrazhit. I pari është kryeministri Edi Rama me deklarimet e tij publike kundër biznesmenit italian, të cilat gjykata i cilësoi si prova të persekutimit politik të Becchettit.

Deklarimet publike te Rames qe u perdoren si baze per vendimin e Arbitrazhit

Por veç Edi Ramës, ky dëm ka dhe dy bashkëautorë të tjerë. I pari është Erion Veliaj, i cili dërgonte SMS kërcënuese, kur gazetarët e Agon i filmuan dasmën në Kalanë e Gjirokastrës.

SMS e Veliajt per gazetaret e Agon Channel qe u perdor si baze per vendimin e Arbitrazhit

Bashkëautori i dytë është Engjëll Agaçi, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Ky gjatë një dreke në ish restorant Berlinin në Tiranë, e kërcenoi Becchettin me mesazhe mafioze.

SPAK hesht

Edhe pse bëhet fjalë për një nga abuzimet më flagrante dhe më të rënda në historinë e Shqipërisë, Prokuroria e Possacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka marrë asnjë veprim aktiv për këtë çështje. Madje, edhe opozita duket e heshtur përballë këtij skandali të papreccedentë.

Por ndonëse SPAK hesht dhe opozita mund të jetë e tulatur, përgjegjësia e 110 milionë eurove bërtet me të madhe. Cdo qytetari shqiptar nga zero deri 100+ vjeç, iu morën nga 50 euro secilit me një të rënë të lapsit. Për tekat e Edi Ramës, Veliajt dhe Agaçit. Kjo nuk mund të mbetet pa përgjegjës. Ndryshe merreni reformën në drejtësi pastaj dhe pijini lëngun./kapitali.al

Postime të lidhura