zoom

Lajme

Nuk u fut dot në Parlament/ Adriatik Lapaj: Ndihem i tradhtuar nga Endri Shabani

Nuk u fut dot në Parlament/ Adriatik Lapaj: Ndihem i tradhtuar nga Endri Shabani

Kryetari i koalicionit “Nisma Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që mandatin t’ia japë Anila Dajkos.

Lapaj u shpreh se vendimi përbën një padrejtësi ndaj lëvizjes që ai përfaqëson dhe theksoi se ndjehet i tradhtuar nga ish-miku i tij, Endri Shabani.


“Kam 12 vite që e njoh, ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Nuk e prisja kurrë një gjë të tillë nga ai”, tha Lapaj, duke shtuar se kjo ishte arsyeja pse uli vigjilencën.

Sipas tij, beteja e lëvizjes nuk lidhet me një mandat të vetëm, por me listat e hapura dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Pjesë nga fjala e Lapajt

Ne nuk kemi pasur luftë për një mandat, por për lista të hapura. Nëse do të doja që të isha në atë parlament, do e kisha të thjeshtë, sepse kam firmosur unë atë listë. Por ne kemi dashur të hapim garën. Ne e bëmë marrëveshjen për qytetarët, beteja ka qenë gjithmonë për garën. Sa do e mbaj unë fjalën apo jo, duhet të merrja mandatin, e pastaj mund të gjykohesha. Duhet të ecnim vetëm në rrugën tonë, unë dhe z Shabanaj e shohim politikën pak ndryshe. Nuk na bën deputetllëku që të mbajmë anën e së drejtës, ne jemi përfaqësues të 80 mijë qytetarëve. Më kanë kërkuar, unë kam refuzuar që të bëhem palë me pushtetin.

U bë padrejtësi, do qëndroj deri në fund në parimet e mia dhe në parimet tona. “Shqipëria bëhet” është lëvizje model. Angazhimi ynë do jetë akoma më i fortë. Beteja jonë nuk do jetë në parlament. Dajko është zonjë e nderuar, është nëna e një prej kandidatëve tanë. Beteja do jetë rrugëve të atdheut. Ndihem i tradhtuar nga z Shabani, ishte mik i imi për 12 vite, ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Kjo ishte arsye pse ula vigjilencën, sepse nuk e prisja që mund të ndodhte nga një shok dhe mik, se e kam pasur shok. Beteja jonë do jetë që të përfaqësohemi nga ata njerëz që duan votuesit. Njerëzit do na mbështesin, sepse kandidatët tanë janë njerëz me formim të shkëlqyer. Na u bë padrejtësi, politika shqiptare na ka borxh 7 mandate. Njerëzit e dinë të vërtetën. Kodi Zgjedhor do ndryshojë në Shqipëri. 80 mijë shtetas që kanë votuar për ne dhe nuk përfaqësohen, për shkak të ligjit elektoral dhe për një politikë, që bën pazare./ Zoom.al

Postime të lidhura