Aplikacion
Nga Ornela Çuçi
Nuk ka asnjë “opozitë” që mund ta mundë këtë sistem. Sistemin inxhinierik zgjedhor në Shqipëri. Jo sepse mungojnë emrat, por sepse i gjithë sistemi industrial-politik është ndërtuar pikërisht për të mos u mundur.
Barrierat e hyrjes janë të pakalueshme. Me qëllim. Qëllim dypartiak.
Një votë për partitë e mëdha nuk është e barabartë me një votë për këdo jashtë tyre. Këtu nuk kemi demokraci konkurruese, por ekuilibër të kontrolluar dyemëror.
Ditën që një kryetar opozite, kushdo qoftë ai, të flasë realisht për hapjen e sistemit, për futjen e intelektualëve, për thyerjen e listave të mbyllura, për barazi vote, atë ditë do jem aty. Pa flamur partie. Me qytetari. Si një qytetar me mendim në këtë vend.
Na duhet patjetër ndryshim pushteti.
Urgjentisht.
Sepse shëndetësia po na vret çdo ditë dhe arsimi po na zbraz të ardhmen. Dhe sepse PO, cdo qytetar në këtë vend është i vjedhur deri në skamje.
Kur u bë bashkë politika për një akt simbolik “paqjeje”, as edhe një përshëndetje nuk erdhi nga partnerët tanë ndërkombëtarë. E administrate amerikanë përfaqësohet në këtë vend nga Ambasada Amerikane, jo nga bijtë e bijat biznesmenë. Shqipëria ishte e para që e bëri këtë harakiri institucional. Por mesazhi ishte i qartë. Nuk ka më kredi politike. Për asnjë nga hallexhinjtë shqiptarë.
Opozita ka humbur sensin njësoj si mazhoranca.
Nuk prodhojnë qëndrim.
Nuk prodhojnë vizion.
Nuk prodhojnë politikë.
Çdo reformë që prekin, e përkeqësojnë. Mjafton të shikosh atë zgjedhore dhe territoriale. Cdo gjë në këtë vend është Pazar.
Reforma në drejtësi nuk është emër.
Nuk është as sakrifikim selektiv.
Dhe sigurisht nuk është të mbash një problem pezull derisa të shpërthejë tragjedia.
Listat e mbyllura nuk janë rastësi. Janë mjet kontrolli.
Të mbash rreth vetes 30–40 njerëz besnikë dhe të quash këtë përfaqësim. SHikoni tunelin e Murrizit apo rrugën Qukës- Qafë Pllocë.
Goliathi nuk reformohet. Goliathi rrëzohet.
Por Davidi nuk e rrëzon duke u bërë Goliath i vogël.
E rrëzon duke mos luajtur sipas rregullave të tij.
Fjalime patetike, revolucione imagjinare, “do na keni gjithmonë përpara”.
Seriozisht?
Edhe sikur të jeni përpara, përpara për çfarë? Në garë kush do të vjedhë më shumë apo kush do të kapet më shpejt?
Të gjithë duan pushtetin.
Të gjithë do të ishin kryeministra po t’ua ofroje. Se jemi jo pak, por 3 milionë mbretër në këtë cik vend.
Por askush nuk përgjigjet:
– Çfarë qëndrimi keni për drejtësinë?
– Për reformën territoriale dhe zhvillimin real të rajoneve?
– Për zonat strategjike që sot përdoren sipas interesit të ditës? Nga Butrinti te Sazani, cfarë ndryshoi? Qëndrimi apo interesi?
Shqipëria është nxjerrë në ankand, pa debat, pa transparencë, pa qëndrim kombëtar. Na i kanë nxjerrë hallexhinjtë.
Po, njëra palë ka 83 mandate. Zeqinesh.
Dakord.
Po ju të tjerët, çfarë keni? Ku e keni Gjuzin, Kërpëratën, Jenisherin?
Unë nuk jam për zgjedhjen e “më pak të keqes”.
Jam për ndryshimin e rregullave të lojës. Kërkojini e pastaj kërkoni intelektualët në shesh./ Zoom.al