zoom

Aktualitet

Një ditë pas dorëheqjes, SPAK arreston kreun e ARRSH-së. Abuzimet për të cilat dyshohet

Një ditë pas dorëheqjes, SPAK arreston ish-kreun e ARRSH-së, Evis Berberi. Ditë më parë BKH i bëri kontroll në banesë dhe i gjeti përveë pajisjeve dhe dokumenteve, edhe një shumë të madhe parash në valutë dhe gjendje cash.

Zyrtari i lartë ishte prej dy javësh nën hetim intensiv, për dëmtimet në rrugën Korçë-Ersekë, e denoncuar edhe nga opozita, si abuzime me tenderin ndaj kompanive. Por edhe më parë, në vitin 2022, ai ka qenë në qendër të akuzave për një kompani private.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ka dhënë dorëheqjen ditë më parë, por dje u konfirmua zyrtarisht.

Bëhet me dije se SPAK ka nisur rreth dy javë më parë hetim ndaj Berberit, edhe për çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018.

Dyshohet se bëhet fjalë për një transferim fiktiv të kompanisë me qëllim që Evis Berberi të shmangte konfliktin e interesit, pak para se të emërohej si këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Berberi u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021.

Më 17 shkurt 2024, një ditë pas shembjes së rrugës “Korçë-Ersekë”, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të deklaronte nisjen e hetimit dhe regjistrimin e procedimit penal ndaj kompanive “A & E ENGINEERING” me aksionere Entela Çano dhe kompanisë “A.N.K” me pronar Agim Kola.

Akuzat ishin të qarta; Shpërdorim detyre, mashtrim me projektin e rrugës, mashtrim teknik, mashtrim e falsifikim me procesin e mbikëqyrjes së punimeve, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, një ditë pas regjistrimit te procedimit penal dhe nisjes së hetimit ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve (ARRSH), Evis Berberi, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, zbarkuan në 3 banesat e Drejtorit të Autoritetit Rrugor, duke sekuestruar dokumente, kompjuter, 2 telefona dhe 3 USB, ku besohet se ka prova dhe për afera me rrugët e tjera.

Dhe si rrjedhojë e këtyre veprimeve hetimore intensive, zyrtari i lartë u detyrua të dorëhiqet. /ZOOM.AL/