zoom

Aktualitet

Nisin sot provimet e Maturës Shtetërore, mbi 26 mijë maturantë testohen në Gjuhën e Huaj

Nisin sot provimet e Maturës Shtetërore, mbi 26 mijë maturantë testohen në Gjuhën e Huaj

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë Shqipërinë nisin sot zyrtarisht provimet e Maturës Shtetërore 2026, duke iu nënshtruar testit të parë, atij të Gjuhës së Huaj.

Provimi do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:00, ndërsa nxënësit janë udhëzuar të paraqiten në qendrat e testimit që në orën 08:30.

Në një mesazh drejtuar maturantëve, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Mirela Kumbaro, i inkurajoi ata të përballen me besim me këtë etapë të rëndësishme të jetës së tyre.

“Me këtë sprovë që do të kaloni sot dhe në tre ditët e tjera të provimeve, ju hapni rrugën e jetës suaj, qoftë drejt tregut të punës, profesioneve që do të zgjidhni apo universiteteve ku dëshironi të vazhdoni studimet. Kudo nxënësit shqiptarë kanë shkëlqyer. Ju keni punuar fort dhe keni arritur me sukses në derën e provimit. Mos e humbni besimin, sepse jeni më të mirët”, u shpreh ministrja.

Ministria e Arsimit ka përcaktuar rregulla të qarta për zhvillimin e procesit. Maturantët duhet të kenë me vete dokument identifikimi (kartë ID ose pasaportë), dy stilolapsa, një vizore të vogël, makinë llogaritëse të thjeshtë dhe një shishe me ujë.

Ndërkohë, ndalohet kategorikisht përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente apo çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit.

Sa i përket veshjes, nxënësit duhet të paraqiten me uniformën e shkollës, ndërsa në rastet kur ajo mungon, lejohet veshja me bluzë dhe xhinse.

Kalendari i Maturës Shtetërore do të vijojë më 9 qershor me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 16 qershor me Matematikën dhe do të përmbyllet më 23 qershor me provimin me zgjedhje.

Për zhvillimin e procesit janë ngritur 144 qendra provimi në të gjithë vendin. Në administrimin e testeve do të angazhohen 2.087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, ndërsa 650 vlerësues do të marrin pjesë në korrigjimin e testeve të maturantëve.

Postime të lidhura