zoom

Lajme

Nis me debate të forta Parlamenti, dëbohen gazetarët! Ngacmimet Zhupa-Nikolla e Basha-Spiropali

Ka nisur me debate të forta seanca parlamentare e ditës së sotme, me largimin fillimisht të gazetarëve nga salla dhe më tej me rendin e ditës, ku pritet ngritja e Komisionit Antikorrupsion, për të cilin opozita është shprehur kundër dhe do e bojkotojë.

Deputetja Ina Zhupa është treguar e ashpër me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, ndërsa i ka thënë se për çështjet e Rregullores duhet të konsultohet me ekspertët. Teksa theksoi edhe aktin e Nikollës me dëbimin e gazetarëve si shkelje dhe padrejtësi, duke i kujtuar se “po i bënte qejfin Ramës”.

“Njohuritë e tyre janë të cekëta. Duhet të konsultoheni me ekspertët. Ku thuhet që mocionet me debat bëhen vetëm mbi veprimtarin ë e Këshillit të Ministrave? Kemi bërë mocion për gjenocidin në Srebrenicë dhe luftën në Ukrainë, cila nga këta është veprimtari e këshillit të Ministrave. Neni lexohet në tërësi jo të marrësh një nen e të lësh një tjetër. Dëshiron t’i tregosh Ramës se nuk lejoj të flitet për gjuhën tënde linçuese. Rama i trajton gazetarët në mënyrën më të keqe të mundshme”, u shpreh deputetja.

Më tej Zhupa tha se gazetarët po cenohen përditë dhe cenuesi më i madh i tyre është kryeministri. Më tej, Zhupa akuzoi Nikollën se po shkel rregulloren dhe të drejtat e opozitës. Kjo e fundit iu përgjigj se “e dinte mirë rregulloren e Parlamentit”.

Kurse Kryetari i PD zyrtare, Lulzim Basha, në fjalën e tij në parlament, ka folur edhe për votimin në Kuvend për Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion. Basha tha se kjo është një tjetër strukturë false e Rilindjes, duke shtuar se janë në Kuvend 8 komisione të tjera e na duheshka edhe një tjetër. Më tej, Basha u shpreh se nëse qeveria do që të mbështesë SPAK, duhet që të votojë për amandamentet e propozuara nga PD.

“A thua se nuk mjaftojnë 8 komisione, dashka dhe një tjetër. Prej 1 muaji, në parlamentin e Shqipërisë janë prezantuar amendamentet e PD për të financuar SPAK. Kjo qeveri ndodhet e zhytur derri në grykë me afera. Nuk keni pranuar asnjë amandament të propozuar nga PD. Komisioni i radhës është një gjethe fiku për një maxhorancë, që është zhytur në afera korrupsioni dhe kjo dallohet qartë”, u shpreh ai.

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula, nuk harroi ironitë dhe sarkazmat ndaj mazhorancës, ku në një reagim nga Kuvendi theksoi se duhet më shumë kohë për miratimin e komisionit të posaçëm anikorrupsion. Ai tha mes ironisë se ndonëse mazhoranca e ka luftuar për 11 vite korrupsionin, s’do të ishte bërë nami po të prisnim dhe dy javë.

“Unë do ju kërkoja shumë sinqerisht, por mos ta teproja, shumë miqësisht, që në seancën e sotme ku kemi dhe pr. vendimin për ngritjen e komisionit për luftën kundër korrupsionit, arsyeja që kërkoj që të tërhiqet ai vendim, është që të raportojnë institucionet e pavarura. Duke nisur nga prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi SPAK-ut. Ata akoma s’kanë ardhur të raportojnë”, tha ai.

Ndërkohë, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka lëshuar akuza në drejtim të Lulzim Bashës, se ndonëse flet për vettingun e politikanëve ishte ai që braktisi zgjedhjet dhe nuk votoi ligjet për reformën në drejtësi. Ajo tha se Basha kishte shpëtuar me procedurë nga hetimet me gjykime, për shkak të ndërhyrjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Parafolësi përmendi këtu komisionin që do të votojmë sot. Ne kërkojmë, synojmë, dhe do ta bëjmë, një komision që përfshin analiza të politikës së ditës, por do të prodhojë një plan kombëtar. Jo vetëm luftën kundër korrupsionit por dhe mbizotërimin e ligjit. Keni një paqartësi historike dhe kronike zoti Basha me atë që thoni dhe atë që bëni. Ju thoni me fjalë që mbështesni reformën e drejtësisë, por me një grup deputetësh të pakicës, ju braktisët zgjedhjet dhe nuk votuat ligjet e reformës.

Ju flisni për vettingun e politikanëve atëherë kur ishit në kalë se sot nuk keni gjë që të dëshmoni, se nuk bëtë gjë atëherë. Ju vetë keni shpëtuar me procedurë nga hetimet me gjykime. Si kishit ju në dorë, por babai juaj politik. Ju mbroheshit me gardianët e drejtësisë së vjetër që i kishit nën kontroll”, tha ajo. /ZOOM.AL/