zoom

Aktualitet

Hije skandali, Rama dhe mazhoranca nisin arrestimin dhe denigrimin e gazetarëve!

Hije skandali, Rama dhe mazhoranca nisin arrestimin dhe denigrimin e gazetarëve!

A ka nisur kryeministri Edi Rama një fushatë kundër gazetarëve? Sot u njoftua arrestimi i një prej tyre, me justifikimin ligjor se bashkëpunonte me shefin dhe efektiven e AMP në Durrës, ku nëpërmjet një portali denigronin titullarët dhe ndryshonin të dhënat kibernetike, duke pretenduar edhe gjobitjen.

Zyrtarisht policia njoftoi arrestimin e gazetarit Ervis Hasanaga dhe të efektives Rexhina Omeri, kurse shefi i zyrës Kushtrim Selimi, u shpall në kërkim. Por ky është një skandal i radhës në dukje, teksa arrestohet edhe një gazetar për shkak të detyrës, sikurse ndodhte tre dekada më parë.

Po sot, Parlamenti rrëzoi për rend ditë mocionin për debat të kërkuar nga Opozita për çështjen e gazetarëve dhe dhunimin e tyre, teksa kryeparlamentarja Lindita Nikolla i largoi mediat me urdhër nga salla, ndryshe nga seancat e kaluara.

Ina Zhupa i kujtoi se po shkelte rregulloren dhe të drejtat, duke i shërbyer shefit të saj Edi Rama, me qëllim denigrimin dhe sulmin ndaj gazetarëve. Por Nikolla nuk u tërhoq. Dhe nuk janë të pakta sulmet ndaj mediave kohët e fundit, ndërsa Opozita ka propozuar edhe një amendament për mbrojtjen e tyre.

Policia e Shtetit ndërkohë njoftoi sot se shefi i Sektorit në Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore MP, Kushtrim Selimi përmes një portali publikonte shkrime denigruese ndaj drejtuesve të Policisë. Kushtrim Selimi mësohet se financonte portalin “Shqipnews.info”, që e kishte hapur së bashku me zyrtaren tjetër të AMP, Rexhina Omeri dhe gazetarin Ervis Hasanaga. Këta të fundit i kanë mohuar akuzat për manipulim të dhënash.

Ata publikuan shkrime të rreme për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakun, drejtorin e Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike, Rebani Jaupin, dhe kreun e AMP-së, Florjan Sulejmani me qëllim denigrimin e tyre në publik përmes lajmeve të rremë, pretendohet në procedimin penal, që tashmë e ka Prokuroria.

Sipas dyshimeve dhe raportimeve të disa mediave, qëllimi i Selimit ishte që përmes këtyre shkrimeve synonte që përmes presionit të emërohej drejtor. Në celularët e të arrestuarve janë gjetur dhe mesazhe komunikimi me persona të tjerë me qëllim për t’i vendosur gjoba. Denoncimi është bërë nga disa persona dhe drejtues policie, të prekur nga këto shkrime.

“Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti”, njoftoi policia. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura