Aplikacion
Ceremonia mortore e Papa Françeskut ka nisur mëngjesin e sotëm në Sheshin e Shën Pjetrit, ku arkivoli me trupin e tij u transportua nga Bazilika. Shërbimi fetar po drejtohet nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka qenë ndër të parët që ka mbërritur në shesh, duke përfaqësuar shtetin mikpritës të Vatikanit në një nga momentet më të rëndësishme ceremoniale të dekadës.
Në nderim të Papës, një numër i madh liderësh botërorë janë mbledhur në Vatikan. Ndër ta, presidenti amerikan Donald Trump me bashkëshorten Melania, presidenti francez Emmanuel Macron, Princi William, Mbretëresha Letizia dhe Mbreti Felipe VI i Spanjës, si dhe presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva.


Në ceremoni janë të pranishëm edhe figura të tjera të rëndësishme si ish-presidenti Joe Biden me zonjën e parë Jill Biden, kryeministri britanik Keir Starmer, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Filipineve Ferdinand Marcos Jr, dhe presidenti i Argjentinës Javier Milei.
Gjithashtu të pranishëm janë Princ Haakon dhe Princesha Mette-Marit e Norvegjisë, Mbreti Carl Gustaf dhe Mbretëresha Silvia e Suedisë, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Zonja e Parë Olena Zelenska.
Në ceremoninë e lamtumirës së Papa Françeskut është parë dhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni.

Autoritetet italiane kanë ngritur një sistem të zgjeruar mbrojtjeje në Romë, në pritje të qindra liderëve botërorë për funeralin e Papa Françeskut.

Forcat e Armatosura, të koordinuara nga COVI, janë angazhuar me teknologji të avancuar anti-drone, Eurofighter në patrullim ajror dhe në det. Për të garantuar sigurinë, janë përdorur edhe pajisje për neutralizimin e dronëve. Në të njëjtën kohë, janë siguruar akomodime ushtarake për pjesëmarrësit në Jubileun e Adoleshentëve.
Në shenjë nderimi për Papa Françeskun, sot është ditë zie në Shqipëri, duke ulur në gjysmështizë flamurin kombëtar./ Zoom.al