Aplikacion
Me 2 shtator 2025, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i Shqipërisë ftoi artdashësit të bashkoheshin në një udhëtim artistik përmes sezonit të ri të vjeshtës. Kalendari katërmujor i këtij institucioni të rëndësishëm kulturor solli një mozaik emocionesh, premierash, rivëniesh dhe bashkëpunimesh ndërkombëtare – me një fokus të veçantë në afrimin e publikut të ri drejt operës dhe baletit.
Sezoni operistik u hap me një nga veprat më të njohura të repertorit botëror: “La Traviata” e Giuseppe Verdit, e cila u ngjit në skenën e TKOB për katër netë rresht, nga data 26 deri më 29 shtator 2025. Këtë herë, opera u soll në një produksion të ri, nën regjinë dhe kostumografinë e mjeshtrit italian Hugo De Ana, dhe nën drejtimin muzikor të dirigjentit Francesco Ommassini.
Produksioni u dallua për cilësinë artistike dhe konceptin regjisorial që e solli audiencën në atmosferën e Parisit të fundit të shekullit XIX. Skenografia, kostumet dhe puna e përkushtuar e asistent-regjisor Luca Barachini kontribuan në suksesin e katër netëve me salla të mbushura plot, ku biletat ishin të shitura që më parë.
Në këtë shfaqje shkëlqyen jo vetëm emra të njohur shqiptarë, por edhe artistë ndërkombëtarë të ftuar, duke rritur nivelin artistik të produksionit. Roli kryesor i Violetës u interpretua nga tre soprano të ndryshme, mes tyre edhe sopranoja e njohur Nina Muho, e cila ngjiti në skenë më 28 dhe 29 shtator, duke zëvendësuar një kolege pas një incidenti të papritur në natën e parë.
Nina Muho, e cila është kthyer në një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar, interpretoi Violetën me ndjenjë, pasion dhe teknikë të përkryer. Në dy mbrëmjet e saj, publiku nuk rreshti së duartrokituri dhe emocionuar nga drama e ndjerë e dashurisë që ndodhte në skenë.
Në rolin e Alfredos u alternuan tenorët Oreste Cosimo dhe Mario Rojas, ndërsa në rolin e Giorgio Germont u ngjitën baritonët Solen Alla dhe Armando Likaj – ky i fundit solist i trupës së TKOBAP.
Sopranoja Muho, që e ka interpretuar rolin e Violetës mbi 17 herë, ka performuar këtë produksion edhe më parë në Operën Kombëtare të Zagrebit, ndërsa ka shkëlqyer në të njëjtin rol në skena si Opera e Kaljarit, Teatri “Giuseppe Verdi” në Trieste, Opera e Mariborit në Slloveni dhe në Trieste gjatë natës së ndërrimit të viteve – një shfaqje që u transmetua edhe në televizionin kombëtar italian.
E emocionuar për të sjellë këtë produksion në “shtëpinë e saj”, sopranoja Muho u shpreh:
“Jam e lumtur që e interpretoj këtë produksion në TKOB. Për herë të parë këtë rol e kam luajtur në Zagreb, dhe rikthimi në këtë skenë është gjithmonë një ndjesi e veçantë.”
Dirigjenti Francesco Ommassini, duke vlerësuar performancën e saj, tha se Muho “posedon një instrument të pasur, të përshtatshëm për një repertor të gjerë, me ngjyresa unike dhe pasion italian”, duke theksuar profesionalizmin dhe grintën e saj skenike.
Për dy netë të plota, publiku në Tiranë udhëtoi bashkë me Violetën drejt dashurisë, dramës dhe tragjedisë, duke përjetuar emocione të forta që vetëm opera mund të japë. “La Traviata” dëshmoi edhe një herë se arti i madh e gjen gjithmonë rrugën drejt zemrës së publikut.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit