Aplikacion
Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të hënë në Elbasan, ku një trup i pajetë është zbuluar në rrjedhën e lumit Shkumbin, pranë zonës së Katundit të Ri, afër ish-Metalurgjikut.
Sipas informacioneve paraprake, trupi është konstatuar rastësisht nga një peshkatar amator, i cili ka njoftuar fillimisht banorët përreth dhe më pas autoritetet.
Menjëherë pas sinjalizimit, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe aksesit të kufizuar, në operacion janë përfshirë edhe polumbarët dhe shërbimi zjarrfikës i Elbasanit, të cilët po punojnë për nxjerrjen e kufomës nga uji dhe transportimin e saj drejt morgut të spitalit rajonal.
Deri në përfundimin e ekspertizës mjeko-ligjore, nuk ka të dhëna mbi identitetin, moshën apo gjininë e viktimës. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një aksident apo për një ngjarje me motive kriminale./ Zoom.al