Aplikacion
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, në zonën e Padulit në provincën e Beneventos, ku një grua 30-vjeçare mbeti e plagosur rëndë pas të shtënave me armë zjarri. Sipas raportimeve nga mediat vendase, autor është bashkëshorti i saj, i cili ushtronte detyrën si roje sigurie.
Ngjarja ndodhi brenda banesës së çiftit, në lagjen Femina Arsa. Autoritetet ndërhynë menjëherë pas sinjalizimit dhe vunë në pranga burrin, ndërsa po punohet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e ngjarjes.
E reja u transportua me urgjencë drejt spitalit “San Pio” në Benevento, ku mjekët e futën në terapi intensive. Ajo iu nënshtrua një operacioni të ndërlikuar në fushën e kirurgjisë vaskulare, për shkak të dëmtimeve serioze në zonën e shpatullës dhe kraharorit. Burime mjekësore bëjnë me dije se gjendja e saj aktualisht është e stabilizuar, megjithëse mbetet nën kujdes të specializuar.
Nga të dhënat paraprake, në momentin kur ndodhi ngjarja, dy fëmijët e mitur të çiftit, 9 dhe 12 vjeç, nuk ndodheshin në shtëpi./ Zoom.al