zoom

Ekonomi

Ngadalësohet ekonomia e Shqipërisë. “E mban gjallë” ndërtimi, administrata dhe bar-restorantet

Ekonomia e Shqipërisë është rritur më ngadalë në tremujorin e tretë të vitit 2023 dhe sektorët prodhues të saj kanë rezultuar me rënie.

Sipas Instat, nga një vit më parë, PBB-ja e Shqipërisë për periudhën korrik-shtator u rrit me vetëm 3.48%, ndikuar nga ndërtimet, tregu imobiliar dhe shërbimet, përfshirë ato publike. Nga tremujori paraardhës, pra prill-qershor, rritja është vetëm 0.2 pikë përqindje.

Nga një vit më parë aktiviteti me rritjen më të madhe ishte ai i tregut imobiliar, 12.2%, ndjekur nga sektori i shërbimeve, argëtim dhe kulturë me 11.28%. Bujqësia, peshkimi dhe pyjet, shënuan rënie me 0.5% dhe industria me pothuajse 3%.

Në raport tremujorësh rritjen më të madhe të aktivitetit e kishte grupi i shërbimeve dhe argëtimit me rreth 14%.

Sipas metodës së shpenzimeve, konsumi i popullatës pati një rritje modeste prej vetëm 2% ndërsa ai i qeverisë me 12.28%.

Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 2.1%, që mat shpenzimet/investimet që bëhen në ekonomi për të rritur aktivitetin prodhues. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me rreth 18%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 2%.