Aplikacion
Një situatë e rëndë dhe e paprecedentë është raportuar nga Reanimacioni Qendror i QSUT-së, ku sipas denoncimeve të qytetarëve, mungesa e energjisë elektrike ka paralizuar punën në repartin më kritik të spitalit.
Ndërpreja e energjisë ka krijuar një gjendje pasigurie totale për stafin dhe familjarët.
Për shkak të dështimit të sistemit elektrik dhe pamundësisë për të mbajtur kushtet e nevojshme brenda dhomave të kujdesit intensiv, pacientët janë parë duke u nxjerrë me shpejtësi nëpër korridoret e spitalit.
Ndërkohë, përmes një njoftimi për media QSUT ka deklaruar se është aktivizuar sistemi rezervë dhe se jeta e pacientëve nuk është cënuar.
Njoftimi:
*Informacion për qytetarët*
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informon se sot në mbrëmje, për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.
Menjëherë, ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme.
QSUT siguron qytetarët se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se institucioni mbetet në gatishmëri të plotë, për të përballuar çdo situatë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së pacientëve.
QSUT ka ngritur menjehere grupin e punës për verifikimin e situatës.