zoom

Aktualitet

Nën sekuestro, por fitoi tender për rindërtimin në Thumanë/ Cila është kompania “PE VLA KU”? Me probleme edhe në Kosovë

Nën sekuestro, por fitoi tender për rindërtimin në Thumanë/ Cila është kompania “PE VLA KU”? Me probleme edhe në Kosovë

Një tender i dhënë për kompaninë “PE VLA KU” është veshur me hije skandali, duke ngritur dyshime për procedurën e ndjekur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Pas tërmetit në vitin 2019, Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi garën më 4 gusht 2020 për të rindërtuar disa pallate në Thumanë.

Tenderi u fitua nga “PE VLA KU”, që ka si aksioner, Vladimir Pjetërgjokaj me 53% të aksioneve dhe Kujtim Arifaj me 47% të aksioneve. Kjo kompani u përzgjodh fituese mes 17 të tjerave.

Por emisioni “Vetting” ka zbuluar pas një verifikimi të kryer në Qendrën Kombëtare të Biznesit se kompania fituese është e bllokuar nga përmbarimi.

“Konkretisht në datë 18.12.2017, me anë të urdhrit Nr. 1303 Prot “Për Vendosjen e sekuestros konservative”, lëshuar nga përmbaruesi gjyqësor Altin Vako, u urdhërua vendosja e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet që zotëron debitori subjekti “PE – VLA – KU” shpk”, thuhet në njoftim.

Urdhëri për sekuestron ka qenë në fuqi deri më 23 tetor 2020, pra edhe në kohën kur është hapur gara për tender dhe është shpallur fituese, kompania ka qenë nën sekuestro.

Në bazë të ligjit të prokurimeve neni 46/1, kompania “PE VLA KU” duhet të ishte skualifikiar, por ligji nuk u zbatua.

Veç kësaj, nga një verifikim në terren vihet re se punimet për pallatet ku duhej punuar nuk janë përfunduar në kohë.

“Por edhe jashtë afateve sipërfaqja e projektuar për të ndërtuar ishte një kantier ndërtimi me vinça, mjete të rënda teksa në pallatet e ndërtuar karabinaja nuk ishin vendosur pllakat, dritare, dyer madje nuk ishin kryer as suvatimet dhe termoizolimi”, raportoi “Vetting”.

Probleme edhe në Kosovë

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Për kompaninë “PE VLA KU” janë hedhur hije skandali edhe në Kosovë, në një tender të hapur në Gjakovë.

Sipas gazetës online Insajder, kompania është futur në listën e zezë.

“Gjykata e Tenderave Kosovë ka marrë vendim për të penalizuar kompaninë “PE VLA Ku” dega Kosovë dhe kjo masë u mor pas mosrespektimit të kushteve të përshtatshmërisë në një tender për rindërtimin e stadiumit të qytetit në Gjakovë.

Në vendimin e lëshuar më 17 tetor 2024, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka pranuar pjesërisht kërkesën e Komunës së Gjakovës për diskualifikimin e operatorit ekonomik “PE VLA KU” dhe të tjerë, për përfshirje në aktivitete të papërputhshme me dispozitat ligjore të tenderimit.

Kjo kompani ka shfaqur mungesa serioze në dokumentat e depozituara duke u përjashtuar për një afat 6 mujor për të marr pjesë në tenderat e Kosovës”, thuhet në analizën e “Vetting”.