zoom

Bota

Negociata “sekrete” për baza amerikane në Groenlandë

Negociata “sekrete” për baza amerikane në Groenlandë

Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë përpjekjet për të rritur praninë ushtarake në Groenlandë, në kuadër të strategjisë për forcimin e kontrollit në rajonin e Arktikut. Uashingtoni dhe Danimarka raportohet se ndodhen në negociata të avancuara për ndërtimin e bazave të reja amerikane në ishull.

Sipas mediave ndërkombëtare, administrata amerikane e konsideron Groenlandën një pikë kyçe strategjike për monitorimin e aktivitetit ushtarak dhe detar të Rusisë dhe Kinës në veri të Atlantikut. Plani i SHBA-së parashikon ngritjen e tre objekteve të reja ushtarake në jug të territorit, pranë korridoreve detare që lidhin Groenlandën me Islandën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

e Bashkuar.

Interesi amerikan për Groenlandën është rikthyer fuqishëm në fokus pas deklaratave të presidentit Donald Trump, i cili e ka cilësuar ishullin si jetik për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Ai ka paralajmëruar më herët se ndikimi rus dhe kinez në Arktik duhet frenuar me çdo kusht.

Megjithatë, burime diplomatike bëjnë të ditur se në tryezën e bisedimeve nuk është diskutuar asnjë skenar që prek sovranitetin danez apo atë të Groenlandës. Autoritetet në Kopenhagen dhe Nuuk kanë theksuar se çdo marrëveshje do të respektojë autonominë dhe statusin politik të territorit.

Në negociata janë përfshirë diplomatë të lartë amerikanë, danezë dhe përfaqësues të Groenlandës. Raportohet se prej muajit janar janë zhvilluar disa takime për arritjen e një marrëveshjeje që balancon interesat strategjike të SHBA-së me kufijtë politikë të Danimarkës.

Aktualisht, SHBA operon në Groenlandë përmes Bazës Hapësinore Pituffik, e cila përdoret për sistemet e mbrojtjes dhe monitorimin e kërcënimeve raketore në kuadër të NORAD./ Zoom.al

Postime të lidhura