zoom

Ide & Blog

Mund të kthehet në krye të PD! Si duhet lexuar mesazhi i Berishës?

Sali Berisha arriti ta tërheqë edhe njëherë me shumë mjeshtëri vëmendjen mbi veten me një deklaratë të beftë që vjen në kulmin e zhvillimeve politike në Partinë Demokratike, duke shtuar paqartësitë mbi fatin e forcës politike më të madhe të së djathtës.

Për 8 vjet me radhë, teksa PD e ka parë veten nga humbja në humbje e për pasojë zëra brenda saj kanë kërkuar rikthimin e Sali Berishës, ai e kishte refuzuar katëgorikisht një rikthim në krye të PD.

Por befas mbrëmë, në emisionin e Cim Pekës, ai bëri një kthesë 180 gradë. I pyetur nëse e përjashton mundësinë e marrjes së drejtimit të Partisë Demokratike ai u përgjigj: “Never say never-kurrë mos thuaj kurrë. Unë po ecja në një drejtim, kam ndërruar rrugë. Nuk përjashtoj asnjë të drejtë timen kushtetuese. Kategorikisht!” (video më poshtë në Zoom.al)

Mesazhi i Sali Berishës, 4 ditë para zgjedhjeve për kreun e PD, sigurisht që i dobëson edhe më tej pozitat e Lulzim Bashës, të cilat janë në pikën më të ulët që nga zgjedhja e tij në krye të partisë në vitin 2013.

Por më shumë se për fatin e partisë dhe atë të Lulzim Bashës, Berisha është detyruar të bëjë një kthesë në rrugën që kishte nisur për shkak të zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me fatin e tij personal.

Pas shpalljes “non grata” nga SHBA ai është parë më aktiv, ka deklaruar se do të jetë disa herë më i angazhuar në parlament, se kishte pasur në mendje të tërhiqej nga kuvendi nëse PD do të kishte fituar zgjedhjet, por që tani është akoma më i motivuar për të zhvilluar një betejë spektakolare në politikë.

Tani letrat në tavolinën e tij kanë ndryshuar dhe ai po e lexon ndryshe fatin pas vendimit të fortë të SHBA.

Sali Berisha po luan, siç ai di, çdo kartë që ka në dorë për të treguar se është ende faktor në politikën shqiptare dhe këtë ai nuk po ia tregon Lulzim Bashës edhe pse ky angazhim i drejpërdrejtë i tij e prek drejpërdrejtë kryetarin aktual të PD.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Zoom.al (@zoom.al)

Sepse Berisha nuk ka asnjë betejë për të bërë në PD. Ai e ka shpallur betejën e radhës jo kundër Bashës, por kundër sekretarit amerikan të shtetit Blinken, Sorosit, Edi Ramës, të cilët i akuzon për komplot në shpalljen “non grata”. Dhe për ta zhvilluar këtë betejë i duhet kali që ka stërvitur vetë për dekada me radhë, Partia Demokratike. Hipur mbi të, sigurisht që konfigurimi në fushëbetejë ndryshon dhe kundështarëve të tij do të duhet ta rishohin strategjinë e tyre me një “armik” të paparashikueshëm që ka lavdinë e ka pasur gjithnjë në kohëra të trazuara. /Zoom.al