Aplikacion
Shqipëria pritet të përfshihet nga mot i qëndrueshëm gjatë pasdites së kësaj të mërkure dhe ditës së enjte, ndërsa temperaturat do të vijojnë rritjen graduale në të gjithë territorin.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Gjeoshkencave, reshjet do të jenë të pakta dhe lokale, ndërsa në disa qarqe parashikohet rrezik i ulët deri i moderuar për zjarret në pyje.
Nuk priten stuhi apo episode intensive shiu, ndërsa pjesa më e madhe e territorit do të dominohet nga kthjellime dhe alternime vranësirash.
Temperaturat do të mbeten tipike për fundin e muajit maj, me tendencë rritjeje.
Të enjten termometri pritet të shënojë deri në 31°C në zonat bregdetare, deri në 32°C në ultësirën perëndimore dhe rreth 26°C në zonat malore. Temperaturat minimale do të luhaten nga 14°C në zonat malore deri në 19°C pranë vijës bregdetare.
IGJEO bën të ditur se niveli i rrezikut nga zjarret do të jetë “i ulët” në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera nuk pritet rrezik.
Megjithatë, në disa zona të izoluara të vendit situata paraqitet më delikate. Rrezik “i moderuar” parashikohet në jugperëndim të qarkut Shkodër, në veri të Lezhës, në lindje të Durrësit dhe në zonat lindore të Fierit. Sipas ekspertëve, kushtet atmosferike gjatë së enjtes do të favorizojnë rritjen e rrezikut për përhapjen e vatrave të zjarrit, veçanërisht në zonat me bimësi të thatë.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare në pjesën më të madhe të vendit, por në bregdet dhe në zonat malore hera-herës pritet të fitojë intensitet, duke sjellë forcim të përkohshëm të dallgëzimit në det./ Zoom.al