Aplikacion
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, çështja e ndalimit të monopatinave u kthye në pikë debati.
Këshilltarët opozitarë kërkuan qartësime për qytetarët që kanë investuar në këto mjete elektrike, ndërsa kërkuan që bashkia të ofrojë një alternativë për lëvizjen urbane të tyre.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, deklaroi se ndalimi i monopatinave nuk ka qenë vendim i Bashkisë, por një masë e marrë nga Ministria e Brendshme.
Madje, ajo doli kundër masës së marrë nga Albana Koçiu, duke thënë se mbështet këto forma të reja për lëvizjen urbane.
“Nuk ka qenë një vendim i Bashkisë Tiranë. Nëse më pyesni mua personalisht, unë jam pro çdo mjeti transporti që nuk përdor karburant, por kjo është vetëm pikëpamja ime personale”, tha Ristani.
Ndërkohë, këshilltari Endri Shabani i kërkoi bashkisë që të gjejë një zgjidhje për qytetarët që i kanë blerë monopatinat, pasi më herët bashkia vetë i kishte promovuar si mjet alternativ transporti.
“Pyetja ime është: a i japim një alternativë qytetarëve, pasi ata kanë investuar edhe për shkak të promovimit që bashkia u ka bërë monopatinave?”, tha Shabani.
Ristani iu përgjigj: “Transporti publik, korsitë e biçikletave dhe trotuaret e zgjeruara janë alternativat që ofron bashkia.”
Kryebashkiakja e komanduar sqaroi gjithashtu se nuk ka pasur një korrespondencë zyrtare mes Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës në lidhje me këtë vendim./ Zoom.al