zoom

Aktualitet

Molotovë e benzinë drejt kryeministrisë dhe parlamentit, 21 protestues të arrestuar! Procedohen disa zyrtarë të PD (Emrat)

Molotovë e benzinë drejt kryeministrisë dhe parlamentit, 21 protestues të arrestuar! Procedohen disa zyrtarë të PD (Emrat)

Një ditë pas protestës së opozitës para Kryeministrisë dhe Kuvendit, Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar, ku bën me dije se janë arrestuar 21 persona, mes tyre edhe 7 të mitur.

Sipas policisë, 14 nga të arrestuarit janë: Kreshnik Çeço, Klodian Bajrami, Leonid Tusha, Klejdi Subashi, Suzana Dimushi, Ramazan Nuhu, Florian Nuhu, Daniel Zeka, Andrea Kulla, Fabiol Ahmeti, Geraldo Demiraj, Danjel Kulla, Artur Kadria dhe Arbri Ujkaj. Identiteti i 7 protestuesve të mitur nuk është bërë publik për shkak të moshës.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Po ashtu, janë referuar materialet për deputetët Belind Këlliçi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Luçiano Boçi, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytja e të miturit në krim”. Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi L. P., 41 vjeç, dhe po punohet për kapjen e tij.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë protestës janë dëmtuar 16 punonjës policie si pasojë e hedhjes së sendeve të forta, mjeteve piroteknike dhe molotovëve në drejtim të forcave të rendit dhe godinave shtetërore. Të plagosurit kanë marrë ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse, të gjetura pranë Kuvendit./ Zoom.al

Postime të lidhura