zoom

Lajme

Miqësorja Shqipëri-Izrael, policia publikon planin e masave! Rrugët që do të bllokohen

Miqësorja Shqipëri-Izrael, policia publikon planin e masave! Rrugët që do të bllokohen

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes miqësore të futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit, e cila do të zhvillohet më 3 qershor 2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Sipas Policisë, plani parashikon angazhimin e të gjitha strukturave ligjzbatuese, duke u mbështetur në përvojën e fituar nga organizimi i aktiviteteve të mëdha ndërkombëtare sportive në vend.

Për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes dhe për të lehtësuar lëvizjen në kryeqytet, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës do të aplikohen kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore pranë stadiumit.

Duke nisur nga ora 16:00 e datës 3 qershor, deri në përfundim të takimit, do të bllokohen disa rrugë në zonën përreth “Air Albania”, përfshirë segmente të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Lekë Dukagjini” dhe “Abdyl Frashëri”. Gjithashtu, në sheshin “Willson” do të ketë devijime të lëvizjes së mjeteve pak para përfundimit të ndeshjes.

Policia sqaron se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të lira për qarkullimin e automjeteve.

Ndërkohë, tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme përpara hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara, si lëndë piroteknike, fishekzjarrë, flakadanë, banderola me përmbajtje raciste, monedha metalike, çakmakë, karikues celularësh dhe objekte të tjera që mund të rrezikojnë sigurinë.

Policia u bën thirrje tifozëve të paraqiten pranë hyrjeve të stadiumit duke filluar nga ora 18:00, për të shmangur vonesat dhe radhët e gjata që mund t’i pengojnë të hyjnë në stadium para nisjes së ndeshjes.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë këtij eventi sportiv janë angazhuar qindra efektivë policie, të cilët do të jenë në terren për të ofruar siguri, ndihmë dhe informacion për qytetarët dhe tifozët.

Postime të lidhura