zoom

Aktualitet

Meteorologia tregon si do të jetë moti në ditët e para të vitit 2026

Meteorologia tregon si do të jetë moti në ditët e para të vitit 2026

Java e fundit e vitit 2025 ka nisur me mot të kthjellët dhe intervale të gjata me diell në të gjithë vendin, por temperaturat kanë shënuar rënie të ndjeshme.

Meteorologia Tanja Porja, në një lidhje për emisionin “Dita Jonë”, bëri të ditur se aktualisht temperaturat janë rreth 2 deri në 3 gradë më të ulëta se mesatarja sezonale.

Sipas saj, këto kushte po i japin fund një viti që është karakterizuar nga temperatura mbi normë, ndërsa fillimi i vitit 2026 pritet të sjellë mot më tipik dimëror, me reshje shiu dhe dëbore.

“Po përjetojmë ditë shumë të ftohta për këtë periudhë. Temperaturat janë ndjeshëm më të ulëta se një ditë mesatare dimri, ndërsa këto vlera po kompensojnë disi vitin 2025, i cili u mbyll me temperatura të larta. Fillimi i vitit të ri do të jetë i ftohtë dhe i shoqëruar me reshje”, u shpreh Porja.

Sipas të dhënave meteorologjike, vlera minimale e regjistruar në rang vendi ka zbritur deri në -5 gradë Celsius, kryesisht në zonat verilindore dhe në skajin verior të territorit. Në zonat malore, temperaturat e mëngjesit kanë luhatur nga -5 deri në -2 gradë.

Në ultësirën perëndimore dhe në zonat urbane, përfshirë Tiranën, temperaturat minimale janë regjistruar nga 3 deri në 4 gradë Celsius, ndërsa në vijën bregdetare termometri ka shënuar deri në 7 gradë. Edhe qytete si Elbasani, Berati dhe Gjirokastra kanë përjetuar mëngjese të ftohta, me vlera pranë zeros në disa zona.

Meteorologia paralajmëron se nga dita e nesërme priten reshje të dobëta, ndërsa ditët e para të vitit 2026 do të shoqërohet me mot më të ashpër dimëror, duke përfshirë shi në ultësira dhe dëborë në zonat malore./ Zoom.al

Postime të lidhura