zoom

In Zoom

Meta tregon pse e ktheu ligjin për ‘Rinasin’: Pas 25 Prillit, vendi kthehet në shina!

Presidenti Ilir Meta i ka dorëzuar zyrtarisht Kuvendit, vendimin e tij ku i kthen për ta rishqyrtuar ligjin për zgjatjen deri në 13 vjet, të koncensionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, hartuar e miratuar me nxitim brenda pak ditësh nga Qeveria.

Presidenti doli sot në një konferencë të dytë brenda një jave për këtë çështje ku tregoi se kishte renditur në 43 faqe, bazën ligjore të të gjitha arsyeve të tij të kthimit mbrapsht të ligjit, që qeveria synon t’i bëjë ndryshime.

Presidenti i bëri thirrje deputetëve të Kuvendit, që t’i lexojnë argumentet e tij para se të ngrenë kartonët e t’i thonë PO, ligjit të sjellë nga Qeveria.

“Sikundër paralajmërova, dje i përcolla edhe zyrtarisht Kuvendit dekretin për kthimin për rishqyrtim të ligjit për Aeroportin e Rinasit. Kjo marrëveshje është në dëm të interesit publik, shtetëror e kombëtar.

I bëj thirrje çdo deputeti e zyrtari të lartë të reflektojë me shumë qetësi për këtë nismë. Paralajmëroj se për çdo vepër penale të konsumuar nuk do të ketë kurrë amnisti, por vetëm drejtësi!

Pas 25 prillit, Kuvendi do të kthehet njëherë e përgjithmonë në shinat e së drejtës. Po u jap mundësi deputetëve të reflektojnë!

Shpresoj të lexoni marrëveshjen, para se të ngrini kartonin! Ftoj të gjithë deputetët, edhe të opozitës, të njihen me argumentet e institucionit të Presidentit në 43 faqet; është një ftesë për të gjithë deputetët ta lexojnë, të mos thonë “nuk dinim gjë”! Por, edhe opinioni publik le të njihet me këtë “kryevepër” të kapjes së shtetit”, përfundoi me nota të ashpra dhe ironi, Presidenti Meta.