zoom

Aktualitet

Mero Baze shpërthen kundër Ramës për Shtetin e Bektashinjve

Analisti Mero Baze, i njohur për afrimitetin e tij me kryeministrin Rama, e ka ndryshuar tërësisht linjën editoriale të gazetës së tij, TEMA, përsa i përket çështjes së krijimit të një Shteti Bektashi brenda territorit të Shqipërisë.

Baze ka shpërthyer në kritika personalisht kundër Ramës dhe po ashtu e ka hapur gazetën e tij për çdo shkrim, analist, politikan e personazh të panjohur, që kundërshtojnë idenë e Shtetit Bektashi.

“Mos prisni të ketë një ekspozitë tolerance apo bashkëjetesë në territorin e tyre. Nuk do ketë një supermarket bektashinjsh ku mund të shkoni të bleni tolerancën, apo një kinema ku do ta shikoni atë në Shkozë. Ai nuk mund të zbusë radikalët islamik në Shqipëri, përkundrazi mund t’i tërbojë më shumë, dhe as mund të zbusë frymën bazike të ortodoksëve apo konservatorizmin e katolikëve. Ata thjeshtë mund të demonstrojnë një shembull se si feja nuk mund të gjenerojë konflikte.

Dhe duhet ta pranojmë se në këtë botë të mbushur me kaq shumë paqartësi përse feja prodhon luftra, ata janë një element i pashoq publiciteti. Faqja e parë e New York Times sot, e tregon këtë. Por nuk tregon më asgjë më shumë se kaq. As ne nuk tregojmë më shumë se kaq sa jemi tolerant fetarë”, shkruan mes të tjerash Baze.

SPARTAK NGJELA E MUSTAFA NANO

Baze ka botuar në gazetën TEMA edhe një reagim të fortë të Spartak Ngjelës, i cili merret edhe me familjen e kryeministrit Rama për këtë çështje dhe u bën thirrje socialistëve të ngrihen kundër “këtij individi me ngarkesa antikombëtare në formimin e tij”.

Po ashtu, TEMA e Mero Bazes ka botuar edhe një shkrim te Mustafa Nanos, ambasadorit tonë në Zvicer.

“Në Shqipëri, bektashinjtë mbijetuan, sidoqoftë, dhe u vunë në pritje të kohërave më të mira, që erdhën në gjysmën e dytë të shekullit. Kur nisën përpjekjet e rilindësve për të zgjuar nga gjumi shqiptarët apo për të qitur nga rrënojat kombin shqiptar, bektashinjtë e kishin marrë veten, dhe luajtën një rol të jashtëzakonshëm patriotik.

U favorizuan edhe sepse ishin një “fe” e palidhur me ndonjërën prej fuqive të mëdha apo vendeve fqinje. Bektashinjtë “i takonin vetëm kombit të tyre”. Dhe u rrekën ta shndërronin besimin e tyre në një fe kombëtare. U frymëzuan prej Naim Frashërit, por edhe e frymëzuan këtë të fundit. Shumë shqiptarë prej tij e morën vesh se ç’ishte ky sekt. Por edhe Naimi vetë më shumë e shpiku Bektashizmin, sesa e interpretoi apo e shtjelloi.

Bektashizmi i tij të ngjan me një fe naive, të epshme, të çlirët, pa rregulla të qarta e të prera, shkurt një fe që u vjen pas midesë shqiptarëve, të cilët duan të mos ia prishin as vetes në tokë, as Zotit në Qiell, por në të njëjtën kohë mbron parime e vlera të rëndësishme, që dikush i ka bërë kapule, pa e vrarë mendjen t’i legjitimojë me ndonjë burim doktrinor të tyre. Më shumë të sillen si thelbi i urtësisë njerëzore në shekuj sesa një sistem koherent fetar”, shpjegon Mustafa Nano.

REAGIMET E OPOZITËS

Ajo që bie në sy gjithashtu janë reagimet e deputetëve demokratë kundër Ramës, që kurrë më parë nuk kanë gjetur hapësire në gazetën e Bazes. Demokrati Dashnor Sula shprehet se përmes kësaj nisme “po humbasim sovranitetin. Shteti ka kufij ka territor. ka të drejta të tjera. Politikanëve tanë, a Ramës mos u duhet një oaz ku të strehohen që nesër mos të ketë autoritet drejtësia, apo që të kenë të ruajtur financat. Më vjen keq është diçka që krijon një ndjesi shumë të keqe, çfarë hallesh kemi ne…”

TEMA ka pasqyruar edhe reagimin e Jorida Tabakut, sipas së cilës, qeveria duhet të merret me problemet reale të vendit.

“Projekti erdhi si një pusullë kaosi, ndërsa vendi është zhytur në një spirale krize të thellë ekonomike dhe sociale, si pasojë e një qeverisjeje të mbushur me skandale dhe korrupsion. Vjen në një çast kur qytetarët janë në zgripin e një krize financiare dhe ekonomike, dhe po largohen nga vendi.

Me pak fjalë, sfidat për një qeveri që mendon për shqiptarët janë të mëdha dhe në lartësinë e duhur për një kryeministër që pretendon të ketë aftësi për t’iu përgjigjur atyre, por që aspak çuditërisht nuk po i përgjigjet. Në një kohë kur shqiptarët kërkojnë zgjidhje reale për varfërinë dhe largimin masiv të rinisë, qeveria duhet të fokusohet në përmirësimin e ekonomisë dhe në zbutjen e krizave sociale, jo në projekte iluzive që nuk kanë lidhje me nevojat e vërteta të vendit”, argumenton Jorida Tabaku.

KOMENTI I SONILA MEÇOS

Për të njëjtën temë, në gazetën TEMA mund të gjesh edhe komentin e Sonila Meços dhe rezervat që ajo shpalosi për idenë e kryeministrit Edi Rama gjatë një debati në studion e “Të Paekspozuarit” me Zef Bushatin, ish-ambasador i Shqipërisë në Vatikan.

“Një kryeministër ka një mandat të kufizuar, ndërsa besimi është i gjithëjetshëm. Kur ne citojmë kryeministrin, citojmë një administrator që ka marrë votën për një kohë të caktuar. Kurse vendosja e Kryegjyshatës Botërore janë çështje të thella të shpirtit të njeriut. Duhet të jetë më lehtë të dyshoj administratorin e përkohshëm se besimin e përjetshëm.

MEDIAT TURKE

Te TEMA janë pasqyruar edhe shkrime e reagime të mediave turke, që flasin edhe për teori konspirative.

“Për shembull, “Takvim” shkruan se shteti që pritet të krijohet do të ketë administratën dhe pasaportën e tij, ashtu si Vatikani.

Ndërsa është ende e paqartë se cilat vende do ta njohin sovranitetin e shtetit bektashi nëse ai zbatohet, Rama shprehet se nuk i intereson reagimi që mund të vijë nga Irani”, shkruhet në artikull.

Mediat turke aludojnë më tej, duke shkruar për lidhje të Baba Mondit me Izraelin dhe Sorosin. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për një shtet të modelit të Vatikanit, por një organizim si FETO në Turqi”, shkruan TEMA, duke cituar mediat turke.

Edhe pastori Ylli Doçi është pasqyruar në gazetën TEMA me reagimin e tij, që këtë e quan një çudi shqiptare idenë e Ramës.

“Si ka mundësi që në të njëjtën fjali përmend edhe Nënë Terezën edhe “Vatikanin” bektashian? Dhe përgjigjia e thjeshtë është: Rama është shqiptar dhe kemi të bëjmë me një “çudi shqiptare” që duhet kuptuar në paradoksalitetin e asaj që gjithsesi funksionon. Këtu është një përpjekje për të shpjeguar paradoksikalitetin e propozimit për “Vatikanin” bektashian si një çudi shqiptare me vlerë në Europën e sotme”, shkruan pastori.

Arsyeja e kësaj fushate që Mero Baze ka nisur me gazetën e tij TEMA kundër idesë së kryeministrit është e paqartë. Nuk dihet nëse Baze e sheh vërtet me rrezik krijimin e një shteti bektashi apo po e përdor këtë çështje për të lajmëruar distancimin e tij përfundimisht nga Rama./ Zoom.al