zoom

Aktualitet

Megaoperacion në Itali, Holandë e Belgjikë/ Prangosen dhjetëra persona, mes tyre 9 shqiptarë

Dy organizata kriminale të dedikuara për tregtimin dhe trafikun e lëndëe narkotike janë goditur nga autoritetet policore falë një bashkëpunimi të fortë në Itali, Belgjikë dhe Holandë.

Bëhet me dije se në orët e para të së mërkurës, midis provincave të Trento, Brescia, Vicenza, Mantua, Prato dhe Bari, si dhe në shtetet e Belgjikës dhe Holandës, Karabinierët e Komandës Provinciale të Trentos, me bashkëpunimin e policisë së huaj të aktivizuar përmes Shërbimit Qendror të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, ekzekutuan urdhra paraburgimi ndaj 38 personave, nga të cilët, 15 ishin marokenë, 8 shqiptarë, 3 tunizianë, 1 algjerian, 1 kosovar dhe 10 italianë. Ata janë përgjegjës për vepra të ndryshme penale duke përfshirë trafikun e drogës.

Hetimi i nisur në maj 2020 nga Karabinierët e Njësisë Hetimore të Trentos, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, bëri të mundur identifikimin dhe goditjen e dy organizatave të kriminale të dedikuara për tregtimin dhe trafikun e drogës.

Organizata e parë kriminale që u godit nga autoritetet ishte e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë të vendosur në Trentino, dhe furnizonte shumë pushues në zonë me heroinë, por edhe kokainë, hashash dhe marihuanë. Konkretisht, heroina vinte nga zona e Milanos dhe u rishpërndahej në sasi të mëdha, tregtarëve tunizianë të drogës që operonin me pakicë në Trento, ndërsa kokaina blihej nga furnitorët në Campania dhe transportohej në Trento – çdo javë.

Organizata e dytë kriminale përbëhej kryesisht nga afrikano-veriorë dhe kishte zhvilluar një trafik të vërtetë ndërkombëtar të kokainës, e cila importohej nga Belgjika dhe Hollanda për të furnizuar sheshet e Alto Garda dhe Basso Sarca.

Hetimet të cilat u shtrinë edhe në provincat e Brescia dhe Vicenza, gjatë zhvillimit të tyre bënë të mundur arrestimin në flagrancë të 11 personave dhe sekuestrimin e 23 kilogramë kokainë, një kilogram heroinë dhe një kilogram e gjysmë marihuanë.