Aplikacion
Rexhep Ademi, një banor i Golemit të Kavajës ka vendosur të nisë këtë të mërkurë një grevë urie përpara Prokurorisë së Posaçme.
Me tre pankarta të personalizuara, me emrat e familjarëve që nuk jetojnë më, ai thotë se do të kërkojë drejtësi derisa të vdesë.
Siç është shprehur vetë për mediat, nënën dhe dajën ia kanë vrarë për pronat, tani duan që t’i prishin edhe shtëpinë.
Në pamjet e stampuara prej tij në pankarta, shihet dhe një pronë e rrethuar.
“I vdekur që i vdekur jam… Nënën ma vranë, dajën ma vranë, pronat i kam vuajtur, shtëpinë duan të ma prishin. Tani, do të bëjmë konflikt dhe ose do hyjmë në burg, ose do vritemi. Më mirë vdes këtu. Do bëj grevë këtu në rrugë, deri në vetëflijim,”- është shprehur Rexhep Ademi për mediat.
Rexhep Ademi pretendon se vrasjet e familjarëve të tij dhe tentativat janë bërë nga personat që i kanë grabitur pronën, ndaj ai kërkon nga Prokuroria e Posaçme, si institucioni i fundit ku ka ende besim, që të bëjë drejtësi.

