zoom

Bota

Me SHBA-në armik, Kina “i shkel syrin” BE-së

Me SHBA-në armik, Kina “i shkel syrin” BE-së

Në një përpjekje për të ulur tensionet me Bashkimin Evropian, Kina është në fazën përfundimtare të negociatave për heqjen e sanksioneve ndaj disa anëtarëve të Parlamentit Europian.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Pekini po përballet me tarifa të larta nga administrata e Donald Trump dhe po kërkon aleanca të reja ekonomike.

Sipas një zëdhënësi të Parlamentit Europian, bisedimet me autoritetet kineze janë drejt përmbylljes dhe do të bëhen publike sapo Pekini të japë konfirmimin zyrtar. Presidentja e PE-së, Roberta Metsola, do të njoftojë fillimisht krerët e grupeve parlamentare.

“Synimi ynë ka qenë gjithmonë të rivendosim marrëdhënie të qëndrueshme me Kinën,” deklaroi zëdhënësi.

Kina i vendosi sanksionet në vitin 2021 si kundërpërgjigje ndaj masave të BE-së ndaj zyrtarëve dhe entiteteve kineze të lidhura me shkeljet e të drejtave të njeriut në provincën Shinxhang. Në atë kohë, BE-ja reagoi duke ngrirë procesin e ratifikimit të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Investimeve me Kinën.

Tani, me përshkallëzimin e luftës tregtare me SHBA-në, përfshirë një tarifë 145 për qind për mallrat kineze, Pekini po përpiqet të forcojë lidhjet me BE-në, duke parë në të një mundësi për të balancuar humbjet ekonomike dhe politike që mund të sjellin politikat proteksioniste amerikane./ Zoom.al

Postime të lidhura