zoom

Aktualitet

Mbyllja e Gjykatës dhe Prokurorisë në Bajram Curr, punonjësit në mes të 4 rrugëve: Çfarë të hamë

Mbyllja e Gjykatës dhe Prokurorisë në Bajram Curr, punonjësit në mes të 4 rrugëve: Çfarë të hamë

Korrikun e këtij viti, qeveria miratoi Hartën e Re Gjyqësore, propozuar nga KLGJ-ja dhe Ministria e Drejtësisë, e cila shkrin gjykatat dhe prokuroritë e shkallës së parë në disa qytete si: Tropojë, Pukë, Mat, Lushnjë, Përmet, Pogradec, Kavajë, Krujë dhe Kurbin.

Një vendim i tillë nuk e mori aspak parasysh bojkotin e avokatëve që vazhdoi prej disa javësh, duke e lënë kështu vendin me 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykata administrative dhe 1 gjykatë apeli.

Një tkurrje e tillë përkthehet së paku në dy problematika: punonjës që përfundojnë në mesin e katër rrugëve dhe qytetarë që duhet të shkojnë disa orë larg (shtoni këtu edhe kushtet atmosferike), për një dokument gjykate apo prokurorie.

Mbyllja e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bajram Currit, e cila do t’i përkasë tani e tutje asaj të Kukësit po trondit të ardhurat e shumë familjeve.

Një punonjës burgu i Bajram Currit tregon ekskluzivisht për Zoom.al se puna e tij do të zhvendoset në burgun e Reçit, Shkodër, duke e lënë kështu të papunë.

“Një zgjidhje sa për të thënë,”- shprehet ai, teksa argumenton përse është i pamundur pranimi i një oferte të tillë pune.

”Kjo do të thotë se na duhet që të udhëtojmë çdo ditë me makinë për 4 orë e 30 minuta derisa të mbërrijmë në burgun e Reçit. Dhe pas orëve të punës do udhëtojmë edhe 4 orë e 30 minuta të tjera për t’u kthyer në shtëpi. Na kanë thënë se transporti do mbulohet nga puna por jo, na shkon në ditë 9 orë vetëm rrugë,”- sqaron punonjësi për Zoom.al.

Harta e re Gjyqësore në Bajram Curr prek 42 punonjës, konkretisht 32 policë të IEVP-së dhe 10 punonjës të administratës. Duke përfshirë edhe punonjësit e Prokurorisë dhe ata të Gjykatës rezulton se janë së paku 80 familje që mbeten pa të ardhura ekonomike me shkrirjen e gjykatës, nisur nga fakti se për shumicën, kryefamiljari është i vetmi që punon.

“Edhe kolegët e mi nuk munden të shkojnë. E kemi diskutuar dhe është përtej mundësive,”- shton punonjësi, duke na lënë kështu të kuptojmë se qeveria nuk ka realisht një plan B për punëtorët që preken  nga skema e re. Ajo çka ofron është veçse në dukje një zgjedhje alternative, por e pamenduar dhe e pastudiuar.

Siç në hyrje të lajmit e cekëm, problemi nuk mbetet vetëm te punonjësit, pasi janë edhe qytetarët që ndikohen negativisht nga kjo shkrirje. Atyre u duhet që të udhëtojnë drejt Kukësit për çdo problem apo çështje në Gjykatë.

Shkrirja e një numri kaq të madh të Gjykatave të Shkallës së Parë në Rrethe (13 gjykata) dhe Gjykatave të Apeleve (5 Gjykata), me argumentin se nuk ka gjyqtarë pritet të sjellë shqetësime të shumta.

“Grumbullimi i gjyqtarëve në një godinë, as nuk përshpejton proceset gjyqësore, as nuk zgjidh problematikën tepër shqetësuese të stokut të çështjeve të mbartura prej vitit 2016-2017 dhe as e ul mbingarkesës e gjyqtarëve, aq më pak, as nuk plotëson vendet bosh të krijuara në sistem,”- qenë këto disa nga argumentet e avokatëve, gjatë kundërshtisë së tyre.

Aktualisht Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar, ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht.

Kohë më parë, Komiteti Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë konstatoi dhe bëri prezent për gjithë opinionin publik se vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta, si dhe shtoi se ky vendim është në përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.

Nisur nga numri i vogël i gjyqtarëve në sistem sot, por dhe nga numri i lartë i çështjeve gjyqësore stok (të mbartura dhe të pashqyrtuara), problemet që priten janë këto:

-shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.

-Kufizim/cenim të aksesit në sistemin e drejtësisë;

-Rritjen e kostove për qytetarin dhe përdoruesit real të gjykatave, si dhe gjithë profesionet e lira të lidhura me sistemin gjyqësor;

-Tronditje të sistemit gjyqësor në tërësi përgjatë fazës tranzitore;

-Përqendrim të vendimmarrjes së formës së prerë, vetëm në disa gjyqtarë në Tiranë;

-Përmes vështirësive, kohës së gjatë të pritjes për një vendim, si dhe rritjes së kostove të ndjekjes së rrugës gjyqësor, do të rritet ndjeshëm humbja e interesit të qytetarit për të ndjekur rrugën ligjore, dhe kjo natyrshëm përligj shqetësimin se mund të sjellë rritjen e fenomenit të vetëgjyqësisë”./ Zoom.al