zoom

Aktualitet

Masakra mjedisore në Elbasan, gazetari: Zjarri, 3 ditë pasi nisën hetimet ndaj kompanisë “Eco-Elb”dhe Leli Kajës

Masakra mjedisore në Elbasan, gazetari: Zjarri, 3 ditë pasi nisën hetimet ndaj kompanisë “Eco-Elb”dhe Leli Kajës

Gazetari Dritan Laçi deklaroi se vendgrumbullimi i mbetjeve në Elbasan duhet të ishte trajtuar si një skenë krimi, duke theksuar se zjarri i fundit shpërtheu vetëm tre ditë pasi Prokuroria nisi hetim ndaj kompanisë publike “Eco-Elb” dhe administratorit të saj, Leli Kaja. Sipas tij, vendi ku shpërtheu zjarri është i njëjtë me qendrën e grumbullimit të mbetjeve, çka ngre dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.

“Eco-Elb”, kompani në pronësi të 7 bashkive të qarkut Elbasan, mori në administrim landfillin dhe inceneratorin e Elbasanit në fund të vitit 2021, pas skandalit me kompaninë koncesionare “Albtek Energy”. Aktualisht ajo ndodhet nën hetim për veprat penale “Shkatërrim prone me zjarr” dhe “Ndotje e ajrit”, ndërkohë që hetimet janë zgjeruar për të përfshirë edhe abuzime të mundshme me fondet publike.

Sipas burimeve nga Prokuroria, mbi 9 milionë euro fonde janë shpenzuar pa kryer ndonjë shërbim real në terren. Inceneratori i Elbasanit rezulton jofunksional dhe mbetjet grumbullohen në ambiente të hapura, ndërsa shërbimi i përpunimit dhe djegies së tyre nuk realizohet.

Laçi theksoi gjithashtu se kjo situatë nuk është e izoluar vetëm në Elbasan, por është përsëritur edhe në Vlorë, Fier dhe Tiranë, duke ngritur shqetësime mbi mënyrën si menaxhohen mbetjet urbane dhe fondet publike në mbarë vendin.

Postime të lidhura