zoom

Aktualitet

Kush i ndërroi mendjen? Refuzoi t’i rinovojë licencën inceneratorit të Elbasanit, ERE jep “ok” tani

Më 4 nëntor, në një njoftim publik, Enti Rregullator i Energjisë, ERE, refuzoi t’i rinovojë licencën e prodhimit të energjisë inceneratorit të Elbasanit. Në njoftim thuhej se inceneratori, që si emër tregtar mban atë të “Eco-Elb”, nuk do ta marrë lejen e prodhimit të energjisë, deri sa të ketë një marrëveshje me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për të përdorur impiantin.

Njoftimi erdhi disa muaj pasi SPAK nisi hetimet për transaksionet që lidheshin me inceneratorët, duke i cilësuar ato si procese korruptive. Po ashtu më herët, ishin vendosur nën sekuestro inceneratori i Tiranës dhe ai i Fierit.

Ky njoftim u publikua nga ERE dhe u konfirmua nga Bordi drejtues, me në krye drejtuesin e Entit, Petrit Ahmeti. Leja që ka momentalisht inceneratori, skadon në prill 2024.

Pa mbaruar ende nëntori, vendimi është hedhur poshtë dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare. Në një njoftim, që mban firmën e të lartpërmendurve, thuhet se është pezulluar vendimi për mosdhënjen e licencës, duke shprehur gatishmërinë e rinovimit të licencës për prodhimin e energjisë, edhe pse energjia elektrike është produkti më i parëndësishëm i atij projekti.

Pa zhurmë dhe pa arsyetime publike se pse njoftimi u hodh poshtë dhe me shpejtësi u botua në Fletoren Zyrtare, inceneratori ka siguruar lejen e aktivitetit dhe për të paktën një vit. Gjithsesi, licenca nuk është miratuar ende.

Qëllimi në letra i djegësve ishte ai i incenerimit të mbetjeve dhe me energjinë e çliruar, prodhimin e energjisë elektrike, që më pas mund të futej në rrjetin e transmetimit, duke iu shitur qeverisë me një çmim preferencial.

Më herët, ERE pati publikuar një raport ku arsyetonte se pse nuk kishte licencuar inceneratorin e Elbasanit për prodhim energjie.

Enti nënvizon se shkak për moscaktimin e çmimit është bërë së pari tejkalimi i kapacitetit të instaluar dhe se dyti fakti se nuk disponohen të dhëna konkrete mbi kostot faktike të ndërtimit dhe operimit.

ECO-Elb është një shoqëri e krijuar nga 6 Bashkitë e të cilat ashtu siç parashikonte koncesioni për inceneratorin do të merrnin në dorëzim këtë vepër pas disa vitesh nga vënia në punë. Bashkitë që janë aksionere në Eco-Elb janë ajo e Cërrikut, Përrenjasit, Gramshit, Elbasanit, Belshit apo Librazhdit./Zoom.al