zoom

Aktualitet

Marina e Jahteve në Durrës: 42 milionë të mbledhura nga parapagimet, shifra larg premtimeve

Marina e Jahteve në Durrës: 42 milionë të mbledhura nga parapagimet, shifra larg premtimeve

Projekti strategjik i marinës së jahteve në Durrës, i prezantuar si investimi më i madh privat në historinë e Shqipërisë me një vlerë të shpallur prej 2 deri në 2.2 miliardë euro, ka mbledhur deri më tani vetëm 42 milionë euro, dhe ato jo nga kapital i drejtpërdrejtë i investitorëve, por nga parapagimet e qytetarëve që kanë blerë apartamente ende pa ndërtuar.

Shifrat që nuk përputhen me premtimet

Bilanci i vitit 2024 i kompanisë “Durrës Marina sh.a.” tregon se rreth 4.17 miliardë lekë janë arkëtuar nga parapagimet e kontratave me klientët, të regjistruara si detyrime, që do të shndërrohen në të ardhura vetëm pas dorëzimit të njësive, të planifikuar për vitin 2025.

Ndërkohë, kompania raportoi një humbje prej 522 milionë lekësh për vitin 2024, pas humbjes 612 milionë lekëshe në 2023, shifra që pasqyrojnë shpenzimet e ndërtimit në fazën fillestare.

Këto fonde janë përdorur për të mbuluar koston e ndërtimit të tre godinave të para (A01, A02 dhe A04), që llogariten rreth 35 milionë euro. Megjithatë, kapitali i parashikuar në kontratë është vetëm 180 milionë euro, shumë më i ulët se premtimi publik i miliardave të investimit.

Deri më tani nuk ka shenja të injektimit të kapitalit të madh nga vetë investitorët apo shenja për marrëveshje me banka të nivelit të dytë për të marrë kredi në shuma të mëdha për financim.

Financimi kryesisht përmes parapagimeve (shitje në ajër) nuk është i pazakontë për zhvillimet imobiliare, por për një projekt të këtyre përmasave ai ngre pyetje për qëndrueshmërinë. Nëse ritmi i shitjeve bie, projekti rrezikon vonesa ose tkurrje, duke u mbështetur vetëm te kapitali i kufizuar i shpallur në kontratë.

Për të përmbushur vizionin e shpallur publikisht, kompania duhet të sigurojë burime të reja financiare, përtej parapagimeve të qytetarëve.

Dyshimet për pastrim parash dhe mungesa e transparencës

Për projektin në fjalë nuk kanë munguar dyshimet se mund të përdoret si skemë për pastrim parash, veçanërisht duke marrë parasysh përmasat e tij, mënyrën e financimit.

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në vitin 2022, një analizë të gjatë lidhur me këtë çështje, zbërtheu skemën e mashtrimit duke paralajmëruar se përmes saj do të pastrohen paratë e lidhura me krimin dhe korrupsionin. Eduard Halimi fliste për fshehje të të ardhurave, devijime fiskale, kundërligjshmëri, pastrim parash, korrupsion, politikanë të korruptuar etj..

Ai zbardhi dokumentacionin që shoqëron kontratën ku rezulton se pronarë të kompanisë që do të marrë pronën publike, portin kryesor të vendit, “Eagle Real Estate Development” sh.p.k.. në 60% është një rrjet prej 5 kompanish, të cilat figurojnë të regjistruara në: 190, Elgin Avenue, Goerge Town, Grand Cayman KY 1-9001, Cayman Islands. Ish-ministri i Drejtësisë i kujtoi qeverisë shqiptare se Bashkimi Europian i ka klasifikuar Ishujt Cayman si “Parajsa Fiskale”, duke e vendosur në listën gri.

Këto pretendime nuk janë provuar nga organet ligjzbatuese, por mungesa e transparencës mbi burimet reale të kapitalit dhe pronësinë përfundimtare të kompanisë e ushqen këtë narrativë.

Dorëzimi i njësive të para në vitin 2025 do të jetë momenti i parë kur projekti do të tregojë nëse ka aftësi reale financiare për të përmbushur premtimet miliardëshe apo nëse do të kthehet në një tjetër rast ku marketingu tejkalon realitetin. Në të njëjtën kohë, transparenca e autoriteteve dhe aftësia për të hetuar burimet e kapitalit do të jenë një provë për integritetin e shtetit ndaj projekteve strategjike./ Zoom.al

Postime të lidhura