zoom

Ide & Blog

Lulzimi kundër Krimit. Basha gjen sërish armikun e vjetër

Lulzimi kundër Krimit. Basha gjen sërish armikun e vjetër

Nga Zoom.al

Tiranë – Pas një muaji me “O Rame, O Rame, O Rame ku i ke shokët”, eksperimenteve me selfie e me këngë me tekste të degjeneruara të Unikkatil, Lulzim Basha më në fund ka vendosur të bëhet serioz. Që të kuptohemi: kjo nuk do të thotë se ai nuk do të buzëqeshë më kur t’i vijë, ku t’i vijë dhe si t’i vijë. Ai e ka vetë këtë në natyrë dhe s’ia ndalon dot njeri, aq më tepër që do ia kenë këshilluar për fushatë.

Por serioziteti ka të bëjë me lënien në vend të dytë të buzëqeshjeve që i dalin pas thirrjes “O Rame”. Partia ku bën pjesë Basha, që de jure nuk drejtohet nga vetë ai, ka bërë një kallëzim penal ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja, kandidat i PD-së së Sali Berishës në Durrës. Më në fund diçka që nuk është meme.
Në një kthesë që askush nuk priste, figura më e shpeshtë e Koalicionit Euroatlantik në rrjetet sociale, i palodhur nga fjalimet para 18 vetëve, ka dorëzuar një kallëzim në SPAK ndaj Ndojës, i cili akuzohet se ka intimiduar përfaqësuesit e Euroatlaktikëve të Bashës duke u thënë se ai ka lidhje me krimin.

Që Ndoja ka lidhje me Rrumin e Sukthit, me të cilin edhe u plagos në një atentat, kjo dihet botërisht. Dhe që Euroatlantikët e Bashës bëjnë mirë që e denoncojnë nëse ai i kërcënon, kjo s’ka dyshim.
Mirëpo, pas trimërimit nga këngët e Unikkatil, Euroatlaktiku s’duhet ta lërë me kaq.

Tani njerëzit presin që ai t’i drejtohet SPAK-ut edhe për Edi Ramën, për Belinda Ballukun, për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ilir Prodën, për padronët e këtij të fundit në bandën e Durrësit.

Nëse e ka seriozisht këtë herë, jo si ato kur shpallte se Edi Rama s’ishte më kryeministër, “Lulzimi kundër Krimit” duhet të jetë vetëm një fillim i ri edhe pse i nisur me stilin e vjetër të luftës kundër berishistëve./ Zoom.al

Postime të lidhura