Aplikacion
Shefi ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, ka paralajmëruar se vera e këtij viti mund të shoqërohet me çmime më të larta biletash dhe anulime fluturimesh, nëse tensionet mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit vijojnë.
Në një intervistë për ITV News, ai theksoi se industria ajrore mund të përballet me mungesë karburanti nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar për disa muaj, një zonë kyçe për furnizimin global me naftë.
Sipas O’Leary, në muajt maj, qershor dhe korrik mund të anulohen nga 5% deri në 10% e fluturimeve, ndërsa kompanitë ajrore do ta kenë të vështirë të planifikojnë paraprakisht, pasi gjithçka do të varet nga rezervat e karburantit në aeroporte.
Ai paralajmëroi se linjat ajrore mund të detyrohen të mbajnë disa avionë në tokë për të përballuar mungesat, duke e bërë situatën sfiduese për operatorët dhe udhëtarët.
Ndërkohë, çmimet e karburantit për avionë kanë pësuar rritje të ndjeshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e biletave. Kjo situatë ka detyruar disa kompani të rrisin tarifat shtesë, si ato për bagazhet, ndërsa të tjera po përgatisin plane emergjente për një krizë të zgjatur energjetike.
Pavarësisht rreziqeve, kreu i Ryanair këshillon qytetarët që të mos shtyjnë rezervimet, pasi sipas tij, shumica dërrmuese e fluturimeve, rreth 90-95%, pritet të realizohen normalisht, ndërsa vonesat ose anulimet do të jenë të kufizuara.
Ai gjithashtu theksoi se pasagjerët që udhëtojnë brenda Evropës do të kenë alternativa, pasi kompanitë ajrore janë të detyruara të ofrojnë riorganizim të udhëtimit ose kthim në destinacion./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit