zoom

Aktualitet

Lezhë: Familje të tëra në errësirë, protestojnë banorët

Lezhë: Familje të tëra në errësirë, protestojnë banorët

Banorët e fshatit Barbullojë, në bashkinë Lezhë, kanë dalë në protestë për shkak të problemeve të vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike, duke denoncuar një rrjet të amortizuar dhe të pasigurt që, sipas tyre, po u rrezikon seriozisht jetën dhe pronën.

Që prej mbrëmjes së së dielës, disa familje kanë mbetur pa drita, ndërsa luhatjet e forta të tensionit kanë shkaktuar djegien e pajisjeve elektroshtepiake në shumë banesa. Banorët thonë se situata është bërë e padurueshme dhe se frika për zjarre apo aksidente elektrike është e përditshme.

Të revoltuar nga mungesa e zgjidhjes, ata u mblodhën në shenjë proteste, duke deklaruar se problematika e energjisë elektrike është e përsëritur dhe prej vitesh nuk është ndërmarrë asnjë investim serioz për përmirësimin e rrjetit shpërndarës.

Sipas banorëve, pavarësisht ankesave të shumta të adresuara pranë institucioneve përgjegjëse, infrastruktura elektrike në zonë vijon të jetë në gjendje të rënduar dhe jashtë çdo standardi sigurie.

Nga ana tjetër, autoritetet lokale kanë kryer inspektime në terren dhe u kanë premtuar banorëve se do të merren masa për normalizimin e furnizimit me energji elektrike dhe përmirësimin e rrjetit, megjithëse ende nuk është dhënë një afat konkret./ Zoom.al

Postime të lidhura