zoom

Lajme

Lamtumirë Diogo Jota! Kush mori pjesë në ceremoninë mortore

Lamtumirë Diogo Jota! Kush mori pjesë në ceremoninë mortore

Familjarë, bashkëlojtarë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore morën pjesë sot në ceremoninë mortore të futbollistit Diogo Jota dhe vëllait të tij André Silva, të cilët humbën jetën dy ditë më parë në një aksident automobilistik në provincën Zamora, në veri të Spanjës.

Ceremonia u mbajt në Igreja Matriz de Gondomar, ndërsa një ditë më parë u organizua homazhi publik në Capela da Ressurreição, ku qytetarë të shumtë qëndruan në radhë për të shprehur respektin e tyre.

Sipas autoriteteve spanjolle, aksidenti ndodhi teksa dy vëllezërit po udhëtonin me një automjet tip Lamborghini në drejtim të portit të Santander, nga ku planifikonin të niseshin drejt Britanisë së Madhe. Dyshohet se shkak i aksidentit u bë një defekt në një nga gomat e mjetit, i cili më pas u përfshi nga flakët.

Në ceremoni morën pjesë figura të njohura të futbollit nga klubi Liverpool, përfshirë kapitenin Virgil van Dijk, Andy Robertson, si dhe trajnerin Arne Slot. I pranishëm ishte gjithashtu një grup i gjerë lojtarësh të ekipit dhe të kombëtares portugeze, si Bernardo Silva, Rúben Dias dhe Diogo Dalot.

Në homazhe morën pjesë gjithashtu Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, dhe Kryeministri Luís Montenegro, të cilët i shprehën ngushëllimet familjes në emër të institucioneve shtetërore.

Diogo Jota ishte pjesë e kombëtares së Portugalisë dhe i klubit anglez Liverpool që nga viti 2020. Ai kishte zgjedhur të udhëtonte me rrugë tokësore drejt Britanisë për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale të fundit në mushkëri./ Zoom.al

Postime të lidhura