zoom

In Zoom

Kush është Leyla Aliyeva, vajza e aferave të presidentit të Azerbajxhanit që u prit nga Edi Rama 

Kush është Leyla Aliyeva, vajza e aferave të presidentit të Azerbajxhanit që u prit nga Edi Rama 

Shqipëria u vizitua këto ditë nga Leyla Aliyeva. Ajo është një figurë e njohur publike në Azerbajxhan, filantrope dhe anëtare e familjes në pushtet Aliyev. Si vajza e madhe e Presidentit Ilham Aliyev dhe Zonjës së Parë Mehriban Aliyeva, ajo luan një rol qendror në diplomacinë kulturore dhe politikat e “soft power-it” të Azerbajxhanit.

Më 17 dhe 18 shkurt ajo pati një vizitë mjaft aktive në Shqipëri, e cila përfshinte takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Fokusi i bisedimeve, sipas informacioneve, ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha si kultura, turizmi, mjedisi dhe shëndetësia.

Veç të tjerash ajo hapi edhe një ekspozitë me piktura në COD në kryeministri, së bashku me motrën e saj Arzu Aliyeva, të titulluar “Mother Natyre – Nëna Natyrë”, me fokus ndërgjegjësimin mjedisor. Pamjet kur kryeministri Rama viziton ekspozitën e saj u shpërndanë nga vetë Kryeministria.

Gjithashtu, Aliyeva vizitoi edhe ambientet e Onkohematologjisë Pediatrike në QSUNT “Nënë Tereza”, ku në emër të fondacionit që përfaqëson dhuroi disa pajisje të reja mjekësore.

Leyla Aliyeva drejtorn “Heydar Aliyev”. Ajo ka tre fëmijë, dy djemtë binjakë Ali dhe Mikail dhe vajzën Amina. Nga viti 2006 deri në vitin 2015, ajo ishte e martuar me biznesmenin dhe këngëtarin ruso-azerbajxhanas, Emin Agalarov.

NË SHENJESTËR PËR KORRUPSION NDËRKOMBËTAR

Pavarësisht profilit të saj si filantrope, Leyla Aliyeva, së bashku me motrën e saj Arzu dhe anëtarë të tjerë të familjes presidenciale janë përfshirë në hetime të shumta ndërkombëtare nga gazetarët investigativë dhe organizatat kundër korrupsionit, si Panama Papers dhe Pandora Papers. Këto raportime kanë vënë në dukje se ajo dhe motra e saj kontrollojnë një rrjet të gjerë kompanish offshore që menaxhojnë pasuri marramendëse, duke përfshirë monopolin e telekomunikacionit në Azerbajxhan përmes Azerfon, të drejta masive në minierat e arit dhe prona të paluajtshme luksoze në Londër e Dubai.

Këto raporte theksojnë se pasuria e tyre tejkalon me qindra milionë dollarë atë që mund të justifikohet nga të ardhurat e tyre zyrtare.

Rrjedhjet e mëdha të dokumenteve financiare nga firmat ligjore ndërkombëtare kanë zbuluar se Leyla dhe Arzu Aliyeva janë pronare përfituese të një numri të madh kompanish guaskë të regjistruara në parajsa fiskale si ishujt Virgin dhe Panama.

PRONAT, MINIERAT E ARIT, TELEKOMUNIKACIONI DHE BANKAT

Përmes këtyre kompanive të fshehta, ato mendohet se kanë blerë qindra milionë euro prona luksoze. Pandora Papers zbuloi se rrjeti i familjes ka tregtuar mbi 400 milionë euro prona në Londër, përfshirë ndërtesa të tëra në lagjet ekskluzive si Mayfair dhe apartamente pranë Hyde Park.

Një rast shumë i debatuar ishte zbulimi se vetë Crown Estate, entiteti që menaxhon pronat e Mbretërisë së Bashkuar,kishte blerë një pronë prej rreth 67 milionë paundësh nga një kompani që lidhej ngushtë me familjen Aliyev.

Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) ka detajuar skemat ku shteti azerbajxhanas, i drejtuar nga babai i saj, u ka kaluar pasuri publike kompanive ku vajzat kishin aksione të fshehta. 

Qeveria i dha të drejtat ekskluzive për shfrytëzimin e gjashtë minierave masive të arit në vend një konsorciumi të quajtur AIMROC. Hetimet treguan se kompanitë offshore që zotëronin shumicën e këtij konsorciumi kontrolloheshin nga Leyla dhe motra e saj.

Dokumentet zbuluan se vajzat zotëronin fshehurazi një pjesë të madhe të aksioneve në kompani si Azerfon (Nar Mobile), e cila merrte favore shtetërore dhe ishte e para dhe e vetmja për një kohë të caktuar, që mori licencën për rrjetin 3G në vend, duke siguruar një avantazh të padrejtë në treg.

Përmes konglomerateve të fuqishme si AtaHolding dhe Pasha Holding, ato kontrollojnë aksione të rëndësishme në bankat kryesore, kompanitë e ndërtimit dhe ato të sigurimeve në Azerbajxhan.

SKANDALI I “PILATUS BANK”, LAVATRIÇES AZERBAJXHANASE DHE “DIPLOMACIA E HAVJARIT” 

Në qendër të pastrimit të këtyre parave ishte “Azerbaijani Laundromat”, një skemë masive ku rreth 2.9 miliardë dollarë kaluan përmes kompanive evropiane për të blerë influencë politike, përfshirë anëtarë të Këshillit të Evropës, artikuj luksi dhe prona.

Pilatus Bank në Maltë u identifikua si qendra kryesore ku elita e Azerbajxhanit, përfshirë Leyla Aliyevan, mbante llogaritë e saj për të kaluar paratë drejt Evropës, duke shmangur rregullat bankare kundër pastrimit të parave.

Ky ishte rasti për të cilin po raportonte intensivisht gazetarja malteze Daphne Caruana Galizia përpara se të vritej me një bombë në makinën e saj në vitin 2017.

“Diplomacia e Havjarit” është ndoshta një nga skandalet më të mëdha të lobimit dhe influencës së korruptuar në historinë moderne të institucioneve evropiane. Termi u shpik në vitin 2012 nga organizata European Stability Initiative (ESI) për të përshkruar strategjinë e qeverisë së Azerbajxhanit për të blerë heshtjen dhe mbështetjen e politikanëve perëndimorë.

Baza e kësaj strategjie ishte mbytja e kritikave ndërkombëtare për shkeljet e të drejtave të njeriut, burgosjen e gazetarëve dhe zgjedhjet e manipuluara në Azerbajxhan, përmes blerjes së deputetëve evropianë.

Politikanëve u ofroheshin dhurata ekstravagante, duke filluar nga kilogramë të tërë me havjar të zi që kushton mijëra euro, qilima mëndafshi, pushime luksoze në Baku, e deri te pagesa direkte me para në dorë përmes llogarive offshore.

Këto para vinin pikërisht nga “Lavatriçja Azerbajxhanase” (Azerbaijani Laundromat), i njëjti rrjet fondesh të zeza prej 2.9 miliardë dollarësh i lidhur me elitat e vendit dhe familjen Aliyev, ku fondacionet dhe kompanitë e drejtuara nga Leyla Aliyeva dhe rrethi i saj luanin rol si fasada ose pika kalimi.

Objektivi kryesor i kësaj skeme ishte Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), institucioni që supozohet të jetë gardiani i të drejtave të njeriut në Evropë.

Rasti më flagrant ishte kur PACE votoi kundër një raporti kritik që dënonte numrin e lartë të të burgosurve politikë në Azerbajxhan. Hetimet e mëvonshme zbuluan se vota ishte blerë.

Figura të larta si italiani Luca Volontè, ish-kreu i grupit të Partive Popullore Evropiane në PACE, dhe gjermani Eduard Lintner u zbulua se kishin marrë miliona euro nga Baku për të lobuar pro qeverisë Aliyev dhe për të prodhuar raporte pozitive të rreme për zgjedhjet atje. Volontè u dënua më vonë me burgim nga drejtësia italiane për pastrim parash dhe ryshfet.

Zbulimi i këtyre skemave shkaktoi një tërmet institucional, por pasojat ishin të përziera për shkak të Realpolitikës.

Pas presionit të madh mediatik, Këshilli i Evropës ngriti një komision të pavarur hetimor (Raporti Ibáñez në 2018). Si rezultat, rreth 20 anëtarë dhe ish-anëtarë të PACE u përjashtuan ose u sanksionuan për shkelje të kodit të etikës.

Pavarësisht hetimeve të gazetarëve dhe sanksioneve ndaj individëve të caktuar në Evropë, vetë regjimi i Aliyev dhe anëtarët e familjes së tij, përfshirë Leyla Aliyevan, nuk kanë vuajtur sanksione të ashpra nga BE apo SHBA. Arsyeja kryesore është se Azerbajxhani mbetet një partner strategjik dhe një alternativë jetike për furnizimin e Evropës me naftë dhe gaz, veçanërisht pas krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Pavarësisht raportimeve të detajuara dhe dokumenteve të rrjedhura, asnjë nga këto gjetje nuk ka rezultuar në telashe ligjore për Leyla Aliyevan brenda Azerbajxhanit, ku qeveria vazhdimisht i ka hedhur poshtë këto publikime si sulme politike të nxitura nga kundërshtarët e jashtëm.

Kështu, ndërsa ushtarët evropianë që morën ryshfet u ndëshkuan ligjërisht, financuesit e tyre në Baku, përfshirë motrat Aliyeva që vizituan Tiranën, vazhdojnë të priten me tapet të kuq në kryeqytetet të ndryshme të Europës, si partnerë të rëndësishëm gjeopolitikë. /Zoom.al

Postime të lidhura