Aplikacion
Punonjësit e sigurisë së presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kanë sulmuar protestues azerbajxhanas në Uashington, ndërsa ata ishin mbledhur për të protestuar kundër tij të enjten.
Dhuna, që ndodhi në sy të policisë amerikane, u filmua dhe u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale.
Mes protestuesve ishte edhe Rahim Yagublu, djali i politikanit të njohur Tofig Yagublu, i cili u dënua me nëntë vite burg në mars të vitit 2025, me akuza për mashtrim dhe falsifikim.
Aliyev dhe shoqëruesit e tij ndodheshin në Uashington për të marrë pjesë në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump.
Pamjet e incidentit tregojnë truprojet e Aliyevit duke sulmuar protestues paqësorë, të cilët po brohorisnin “Liri për të burgosurit politikë”.
Yagublu shkroi në rrjetet sociale se qëllimi i tyre ishte thjesht të kërkonin lirimin e kritikëve të qeverisë në Azerbajxhan.
“Ne kërkuam në mënyrë paqësore liri për kritikët politikë, gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Nuk u përpoqëm të provokonim asnjë veprim. Në Azerbajxhan askush nuk mund të protestojë kundër Ilham Aliyevit; prej më shumë se shtatë vitesh liria e tubimit është e ndaluar dhe ne donim që zëri ynë të dëgjohej”, tha ai.
Yagublu shtoi se ishte rrahur nga truprojat, njëri prej të cilëve e kishte goditur në fytyrë.
“Fatkeqësisht, ata na sulmuan brutalisht dhe nuk na lejuan të brohorisnim parullat tona. Më goditën, më shkelmuan dhe ma shkatërruan xhaketën. Megjithatë, nuk i fyeva verbalisht”, u shpreh ai.
Sipas Washington Post, një ambulancë mbërriti në vendngjarje dhe personeli mjekësor kontrolloi gjendjen shëndetësore të protestuesve të rrahur, por asnjëri prej tyre nuk u shtrua në spital./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari