Aplikacion
Moti pritet të freskohet këtë mes gushti.
Sipas meteorologëve, fundjava do të sjellë ulje të temperaturave maksimale dhe minimale. Orët e pasdites, jo vetëm të premten, por edhe gjatë fundjavës, pritet të sjellin shtim të vranësirave dhe mundësi për reshje shiu.
“Dita e shtunë ka një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit në orët e mesditës, por është dita e diel që do të sjellë një rënie më të ndjeshme, duke bërë që maksimumet në rang territori të jenë në vlerën 36 gradë Celsius dhe mbetet veriperëndimi në rang territori shqiptar me temperatura më të larta, ndërsa pjesa tjetër e ultësirës perëndimore, duke përfshirë këtu Tiranën, Beratin, Elbasanin, Gjirokastrën, të jenë rreth vlerës 33–34 gradë Celsius në orët e mesditës. Vija bregdetare do t’i ketë temperaturat e ajrit në vlerën 31–32 gradë Celsius, dhe rënia e temperaturave të ajrit do të ndihet edhe në zonat malore, duke bërë që maksimumet aty të jenë rreth vlerës 28–29 gradë Celsius,” tha Hakil Osmani nga “MeteoAlb”.
Sipas parashikimeve të meteorologëve, era nuk do të jetë shqetësuese, pasi nuk pritet të kalojë 45 kilometra në orë./Zoom.al