zoom

Slider

Kriminelët hyjnë në shtëpinë e ish-partneres së Neymar për të rrëmbyer vajzën e tyre një muajshe

Tre persona kanë hyrë në banesën e ish-partneres së Neymar, Bruna Biancardi për të rrëmbyer vajzën 1 muajshe të ish-çiftit, të cilët u ndanë disa javë pas lindjes së Mavit.

Tentativa e rrëmbimit të vogëlushes ndodhi, ndërsa Neymar është duke u rikuperuar nga operacioni i rëndë që iu nënshtrua disa ditë më parë.

Në orët e para të mëngjesit të së martës, tre të panjohur hynë në shtëpinë e prindërve të Bruna Biancardi, duke menduar se do ta gjenin atje me vajzën e saj të porsalindur, pasi disa orë më parë influencerja kishte postuar në rrjetet sociale për një festë familjare surprizë për lindjen e fëmijës.

Duke përfituar nga ndërprerja e energjisë në zonë, kriminelët janë futur në shtëpinë e saj në një kompleks.

Mirëpo, në shtëpi ndodheshin vetëm prindërit e ish-partneres së Neymar, të cilët u lidhën nga tre kriminelët. Këta të fundit pasi nuk gjetën dot nënë e bijë, vodhën para, çanta dhe bizhuteri, e u larguan.

Por se kamerat e sigurisë kanë regjistruar makinën e tyre të arratisjes, e cila rezultoi se i përkiste një qiramarrësi në kompleks dhe pak më vonë u zbulua se ishte djali i tij që së bashku me dy shokë të tjerë tentuan të rrëmbejnë vajzën e Neymar.

I riu u arrestua, ndërsa po punohet për kapjen e dy bashkëpunëtorëve të tij.

“Për të qetësuar miqtë, familjen dhe ata prej jush që më ndiqni, po ju informoj se mëngjesin e sotëm më është grabitur shtëpia dhe prindërit e mi janë marrë peng. Unë, Mavie dhe motra ime nuk jetojmë më atje, as nuk ishim në shtëpi në atë kohë”, ka shkruar Biancardi në rrjetet sociale, duke shtuar: “Falë Zotit jemi të gjithë mirë. E rëndësishme është që të gjithë të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të gjenden autorët. Falënderojmë Zotin që na ka ruajtur dhe lutem që gjithmonë të mbrojë familjen time nga çdo dëm”.