Aplikacion
Kryetari i Bashkisë Vau Dejës, Kristian Shkreli, ka reaguar për herë të parë pas lajmeve se ai është vënë nën hetim nga SPAK për krime zgjedhore dhe se i është sekuestruar celulari.
Gjatë një inspektimi të punimeve për ndërtimin e një kanali vaditës në fshatrat Shelqet, Pistull dhe Paçram, Shkreli u shpreh se është i angazhuar në terren dhe i gatshëm të bashkëpunojë me çdo institucion hetimor.
“Jam i gatshëm të bashkëpunoj me çdo institucion hetimor dhe ndodhem në terren, aty ku qytetarët më kanë dhënë votëbesimin për të shërbyer”, deklaroi Shkreli.
Ai theksoi më tej se institucionet ligjzbatuese duhet të veprojnë pa dallim ndaj kujtdo që shkel ligjin.
“Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre ndaj kujtdo që shkel ligjin”, u shpreh kryebashkiaku.
Aktualisht, nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK për ndonjë procedim penal ndaj Shkrelit, ndërsa reagimi i tij vjen mes zërave në rritje për hetime ndaj disa funksionarëve vendorë./ Zoom.al