zoom

Aktualitet

Kontrabandë dhe dëmtim i kompanisë private, Gjykata pezullon specialistin e Doganës (EMRI)

Një hetim i Sektorit të Krimit Ekonomiko-Financiar, në Policinë e Tiranës, ka bindur Gjykatën për të pezulluar nga detyra një specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganës.

Bëhet fjalë për Arbër Halilin, i cili akuzohet se ka kryer kontrabandë, duke përfituar nga pozicioni që mbarte. Gjithashtu ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”, pasi në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të shoqërisë “R.M” shpk, ka kryer veprime të paligjshme.

Gjykata e Tiranës konfirmoi sot se e ka pezulluar nga detyra Halilin, me detyrë si specialist në Drejtorinë e Mbrojtjes së Pronësisë Industriale, për veprën penale “kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

“Më datë 06.03.2024 , ora 14.30 u bë ekzekutimi i Vendimit Penal Nr. 600, datë 04.03.2024,për shtetasin Arbër Dalip Habili, i datelindjes 28.01.1982, banues në Tiranë, me arsim të lartë, pasi Gjykata e Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka caktuar shtrënguese “pezullimin e ushtrimit të një detyre a sherbimi publik” dhe masë të sigurimit personal “detyrim paraqitje” per veprën penale “kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, parashikuar nga neni 175 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjykata, pas shqyrtimit të të dhënave dhe deklarimeve vendosi mase ndaluese dhe shtrënguese ndaj shtetasit Arbër Halili , duke sqaruar se nën ushtrimin e detyrës si specialist në Drejtorinë e Mbrojtjes së Pronësisë Industriale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të shoqërisë “R.M” shkp. /ZOOM.AL/