zoom

Aktualitet

Lejuan kontrabandën e mallrave nga Kina, nën akuzë 3 doganierët e Fierit. Masë dhe 3 biznesmenëve

Policia ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës dhe urdhrin e Prokurorisë, për tre doganierë dhe tre biznesmenë, që akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe kontrabandë, në Fier, Berat dhe Tiranë.

Burime zyrtare thanë se bëhet fjalë për tre punonjës të Doganës së Fierit dhe tre biznesmenë, dy banues në Tiranë dhe një në Berat.

“Në kuadër të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe në kuadër të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, “falsifikimi i dokumenteve”, “kontrabanda me mallra të tjera” dhe “fshehja e të ardhurave”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Procesi”, bëri me dije policia vedore.

Si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i masave “detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit për doganierët: R. Sh., 47 vjeç, banues në Tiranë (i punësuar në Degën Doganore Fier); -I. Y., 51 vjeç, banues në Fier, ish-punonjës i Degës Doganore Fier; E. Gj., 37 vjeç, banues në Fier, ish-punonjës i Degës Doganore Fier.

Gjithashtu, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për 3 biznesmenët: M. K., 70 vjeç, banues në Berat; A. B., 56 vjeç, banues në Tiranë; S. P., 60 vjeç, banues në Tiranë.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit M. K., S. P dhe A. B., në periudha të ndryshme, gjatë viteve 2014-2016, për llogari të shoqërive tregtare në administrim të tyre, kanë kryer pranë Degës Doganore Fier, praktika zhdoganimi të mallrave me origjinë nga Kina.

Procedurat e zhdoganimit janë kryer në të gjitha rastet, pranë Degës Doganore Fier, nga ana e doganierëve, shtetasve R. Sh., I. Y. dhe E. Gj.

Në kryerjen e procedurave të zhdoganimit në Degën Doganore Fier, nga ana e administratorëve të subjekteve janë paraqitur fatura të falsifikuara”, sqaroi policia.

Në përfundim të hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e të gjashtë këtyre shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer procedurën e zhdoganimit, pa kryer verifikimin e mallit dhe kanë shmangur detyrimet doganore në vlerën e 10 016 364 lekë të rinj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtjeshme. /ZOOM.AL/