zoom

Slider

Kombëtarja në javën vendimtare, formacioni ende mister dhe në kokën e Sylvinho

Kombëtarja në javën vendimtare, formacioni ende mister dhe në kokën e Sylvinho

Kombëtarja ka hyrë në javën vendimtare për të bërë historinë, teksa matematikisht i dyhet vetëm një pikë në dy ndeshjet e mbetura. Formacioni mbetet i panjohur për takimin me Moldavinë, teksa bien në sy dhe mungesat. Stërvitja intensive dhe grumbullimi tashmë kanë nisur.

Por te kuqezinjtë askush nuk bën llogari, pasi Sylvinho ka hequr prej kohësh këtë opsion nga tavolina e tij, i vetëdijshëm se me këtë ekip mund të futet qetësisht në fushë për të synuar fitoren përballë çdo kundërshtari. Ky diskutim nuk ndryshon as në hapat e fundit, Shqipëria as që e merr mundim të bëjë llogari përballë Moldavisë, një sfidë ku kuqezinjve i mjafton vetëm një pikë për të siguruar matematikisht një biletë për në “Euro2024”.

Me të drejtë, Sylvinho nuk bën llogari, pasi ideja e tij dhe stafit drejtues të Federatës shkon përtej këtij takimi, Shqipëria kërkon 6 pikë të plota në dy ndeshjet e fundit, për të mbyllur Grupin E në krye, me shpresën që të jenë në pozita komode kur të hidhet shorti për fazën e grupeve në Evropian. Nëse do të bënim llogari, Shqipëria mund të kualifikohet edhe nga divani, nëse Polonia mposht Republikën Çeke në sfidën që do të luhet pasi Shqipëria të ketë mbyllur takimin me Moldavinë.

Në çdo rast, Sylvinho dhe të besuarit e tij kanë në dispozicion edhe një sfidë të fundit, atë kundër Ishujve Faroe me 20 nëntor në “Air Albania”, por kjo është një ndeshje që po projektohet si një festë e madhe, një mundësi për të festuar me tifozët kualifikimin për herë të dytë në një Evropian.