Aplikacion
Këshilli i Lartë i Prokurorisë – KLP – është përfshirë nga ethet e një skandali që pritet të shpërthejë nesër në mbrëmje. Një anëtar i saj është bërë pjesë e një skandali seksual dhe video pritet të publikohet mbrëmjen e të hënës në emisionin “STOP”, në Televizionin Klan.
Nga Zoom.al
Tiranë – Ndërsa koha e publikimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “STOP” po afron, zyrat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucionit që duhet të garantojë integritetin e prokurorëve, janë pushtuar nga ethet. Pyetja që punonjësit po i bëjnë njëri – tjetrit fshehurazi është se kush është anëtari i KLP që është filmuar fshehurazi në një aferë seksi?
Nuk bëhet fjalë për një thashethem kafeneje, por për një investigim të kopsitur nga Shoqata “Media dhe Drejtësi” në bashkëpunim me emisionin “Stop”. Dyshohet për një aferë seksuale të zhvilluar jo në hapësira private, por brenda ambienteve të KLP -së. Aty ku duhet të sundojë ligji, mesa duket kanë sunduar epshet, duke e shndërruar institucionin kushtetues në një skenë turpëruese për drejtësinë e re.
Burime të Zoom.al bëjnë me dije se brenda Këshillit atmosfera është e rëndë. Deri tani KLP nuk ka reaguar ndaj lajmeve të shpërndara në disa media që paralajmërojnë shfaqjen e videos së aferës. “Janë në panik” -thanë burimet.
Por ndonëse protagonistët e dinë mirës se për çfarë bëhet fjalë, deri tani nuk ka pasur ndonjë dorëheqje nga anëtarët e KLP. Por publikimi i videos pritet të shkaktojë një tërmet të vërtetë në këtë institucion.
Nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një anëtar të zgjedhur nga radhët e prokurorisë apo nga shoqëria civile dhe avokatia. Po ashtu, nuk dihet se sa herë ky zyrtar i ka përdorur zyrat e shtetit për afera seksuale.
Çfarë ka pasur në dorë ky anëtar i KLP?
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka 11 anëtarë. Ata kanë në dorë fatin e drejtësisë shqiptare. Ky anëtar, që nesër do të shfaqet në videon e skandalit seksual në “Stop”, ka ushtruar kompetenca kyçe për sistemin e drejtësisë.
Ai ka votuar për emërimin dhe ngritjen në detyrë të prokurorëve të SPAK, përfshirë kryetarin. Ka pasur votën përcaktuese për të zgjedhur se kush do të hetojë korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar, kreun e SPAK.
KLP është institucioni që harton dhe miraton Kodin e Etikës. Ky anëtar ka gjykuar kolegët e tij për sjellje të papërshtatshme, ndërkohë që vetë e ka shndërruar institucionin në një skenë epshesh. Ky është kulmi i hipokrizisë.
Nëse një prokuror diku në Shqipëri ka bërë një shkelje, ky anëtar ka pasur fuqinë ta pezullojë apo ta shkarkojë.
Ky person ka pasur akses në vendimmarrje për fondet dhe ambientet e sistemit të akuzës. Siç duket, administrimin e ambienteve e ka marrë pak si tepër personalisht, duke i përdorur ato për qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me interesin publik.
KLP është krijuar si një organ kolegjial për të shmangur kapjen e prokurorisë nga një dorë e vetme. Por, kur brenda këtij këshilli ndodhin afera të tilla, goditet vetë shtylla e Reformës në Drejtësi.
Nëse anëtari që do të dalë nesër në video nuk shkarkohet brenda 24 orëve, atëherë i gjithë Këshilli është bashkëfajtor në këtë degradim.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit