zoom

In Zoom

Kleçka e kontratës mes Erion Veliajt dhe Bamir Topit për zyrat e FRD

Në përpjeke për ta shuar përplasjen mes policisë së tij dhe presidentit Meta në zyrat e FRD, Erion Veliaj po e ndez më keq atë. Të shtunën u detyrua të pranojë se letra që i kishte dërguar 10 ditë më parë FRD-së për të liruar zyrat ishte një letër bakalli, pa firmë, pa vulë, pa datë protokolli. E pranoi këtë duke i dërguar një shkresë zyrtare të rregullt, me të gjithë elementët e mësipërm.

Sot presidenti i Republikës publikoi kontratën dhe i shtoi kërcënimet. Si kundërpërgjigje, Erion Veliaj shpërndau kontratën e lidhur mes tij dhe FRD-së, duke thënë se ajo tregon që FRD duhet të kishte dalë që në vitin 2016 nga zyrat.

“Kontrata e 2016-ës mes Bashkisë Tiranë dhe partisë që Saliu i rrembeu ish Presidentit ka qene për VETEM 1 VIT!  Ka 4 vitë që ndërtesa zaptohet pa kontratë. Këto janë faktet. Lironi ndërtesën publike, po keni pak dinjitet”, shkruajti ai në shkrimin që shoqëronte kontrantën, rrjetet sociale.

 

Por edhe ky kundërsulm është një autogol. Erion Veliaj pranon përmes saj atë çfarë po thuhet në korridoret e politikës, se FRD-së po i kërkohet të lirojë zyrat pasi bëri aleancë me PD.

Me publikimin e kontratës, pyetjet që lindin janë disa:

  1. Përse Bashkia e Tiranës dhe Erion Veliaj nuk i kërkuan FRD-së të dilte në vitin 2017 nga godina, apo në 2018, 2019, 2020?
  2. A ka shkelur ndonjë ligj Bashkia e Tiranës dhe Kryetari i saj me lënien për 4 vjet pa kontratë të një subjekti politik në një pronë publike?
  3. A ka qenë ky një favor ndaj shërbimeve politike që i ka bërë PS-së kryetari i FRD deri në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes me PD, Bamir Topi?
  4. Përse kërkohet lirimi i zyrave, tani edhe me forcë, pasi FRD hyri në Aleancë me PD?

Kontrata në vetvete nuk ka ndonjë klauzolë për rinovim në heshtje të saj. Afati i saj, që Erion Veliaj e tund si provë që i jep të drejtë për dhunën në zyrat e FRD në prani të presidentit të Republikës, nuk bën gjë tjetër përveçse e përkeqëson situatën në të cilën ai e futi veten me këtë ngjarje.

Ajo është kleçka që zbulon se kontratat, rregullat dhe ligjet përdoren vetëm për ata që konsiderohen si kundështarë apo armiq. Nëse je në gardhin e pushtetit, mund të bësh gjithçka edhe në shkelje të ligjit. ©Zoom.al