zoom

Politikë

Kërkoi lirinë, Apeli lë në burg Lefter Kokën

Apeli i GJKKO-së ka lënë në burg ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i arrestuar për korrupsion me inceneratorët.

Në seancën e sotme, Apeli i GJKKO-së ka refuzuar kërkesën e Kokës për t’u liruar nga qelia dhe ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, e cila ka vendosur që ish-ministri të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ish-ministri është arrestuar nga SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, pasi akuzhohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë ministria e Mjedisit nën drejtimin e Kokës nuk ka kryer veprimet e plota përgatitore për dhënien e koncensionit.

Sipas SPAK-ut është konstatuar se është aplikuar procedura me negocim pa shpallje paraprake, kur këtë gjë e përjashton ligji.

Në kërkim për këtë dosje janë dy biznesmenët Stela Gugallja dhe Klodian Zoto që akuzohen se kanë lëshuar fatura fiktive me vlerë 3.6 milionë euro për punime që nuk janë kryer asnjëherë në inceneratorin e Elbasanit.

Ndërkohë SPAK-ut ka vendosur nën sekuestro inceneratorin e Elbasanit, kompaninë që e ka ndërtuar si dhe 88 përqind të aksioneve të kantinës së njohur të pijeve alkoolike Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pronësi të Lefter Kokës. Hetimi i SPAK-ut ka nisur pas kallëzimit të PD-së dhe LSI-së.