zoom

Aktualitet

Kabinat në Theth që përplasën Ramën me Prokurorinë/ Pronari, snajperisti që do vriste Albin Kurtin

Kabinat në Theth që përplasën Ramën me Prokurorinë/ Pronari, snajperisti që do vriste Albin Kurtin

Kabinat pa leje në Theth, të cilat përplasën kryeministrin Edi Rama me prokurorinë e Shkodrës, janë në pronësi të Prek Kodrës, bëjnë me dije mediat.

Ky i fundit, person që në vitin 2021, në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, kishte planifikuar për të vrarë me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe 2 politikanë të tjerë të njohur Kosovarë.

Ai është shpallur në kërkim edhe nga SPAK në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, me akuzë për disa ngjarje kriminale. Nga lidhjet me grupin Bajri në Shkodër, përfshirja në atentatet me pagesë me snajper, deri tek ai i zbuluar nga bisedat e SKY ECC, ndaj Ardian Çapjas në Elbasan, për llogari të Suel Çelës.

Emri i Kodrës u kthye në vëmendje, pasi kryeministri Rama reagoi ashpër ndaj një ndërtimi pa leje në zonën e Thethit. Kreu i qeverisë tha se bëhet fjalë për një ndërtim në zemër të Thethit, në shkelje të ligjit dhe akt kriminal, i cili edhe pse është referuar në Prokurori nga organet përkatëse, nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

Kryeministri u shpreh se ka mbetur pa fjalë nga vendimi i prokurores Elsa Gjeli, e cila presupozohet që të mbrojë pasuritë e përbashkëta të vendit, dhe jo të lejojë krime të tilla mjedisore. Teksa lexoi vendimin, kryeministri e cilësoi si një “jerm” nga ana e prokurores, dhe që “është një pjesëz e përroi psikik të pashtershëm në formën e një vendimi të mos fillimit të çështjes penale”.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci ka ndarë edhe foto nga ndërtimi pa leje, ku IKMT ka nisur prishjen, duke u shprehur “bollë me tokë e xanum”.

Në një përgjigje ndaj kryeministrit Rama, po sot, Prokuroria e Shkodrës thotë se ‘rasti nuk konsiderohet ndërtim pa leje’. Prokuroria thotë se strukturat kanë qenë kontejnerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi.

Postime të lidhura