zoom

In Zoom

Jo vetëm në Bruksel/ Rama sulmon edhe në Tiranë gazetaren shqiptare

Nuk e ka përtypur dot kryeministri Edi Rama faktin që një gazetare t’i thotë hapur në konferencën për shtyp që zhvilloi në Bruksel me dy zyrtarë të lartë të KE, se në Shqipëri nuk u dënua asnjë nga peshqit e mëdhenj të dosjve 339 dhe 184 për manipulimin e zgjedhjeve.

I kthyer në Tiranë, në konferencën e përjavshme që mban çdo të martë mbi ekonomikë, kryeministri u pyet për ultimatumin që dha Ministri i Jashtëm i BE, Josep Borrell për të pastruar listat nga kandidatët me rekordet kriminale.

Kryeministri e përdori këtë pyetje sërish për të sulmuar gazetaren e ABC News, Erisa Zykaj.

Ai tha se nuk ka pasur absolutisht ultimatume nga Brukseli, por vetëm një ndërhyrje të gazetares shqiptare, e cila sipas tij nuk veproi në mënyrë të dobishme siç bëri, sipas tij, gazetarja e Maqedonisë së Veriut.

Edi Rama: “Tani, vetëm faktet nuk janë opinione edhe koncepti i fakteve alternative është një koncept që ka hyrë së fundmi në shoqërinë njerëzore, si rezultat i lajmeve të rreme. Në Bruksel nuk kam dëgjuar asnjë ultimatum, përkundrazi kam dëgjuar vlerësime absolutisht pozitive për Shqipërinë, siç i dëgjuan ata shqiptarë që nuk jetojnë në botën e fakteve alternative. Ajo është një referencë e stërdiskutuar, e stërkomentuar për një kohë të gjatë. Unë nuk kam dëgjuar asnjë ultimatum, dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që koha tregoi se unë kisha të drejtë për reformën zgjedhore dhe që reforma zgjedhore ka marrë vlerësime maksimale bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias.

Kështu që nëse ka pasur në Bruksel diçka që ka kërcituar njësoj siç kërcet një derë e vjetër në sfond. kur luhet një koncert në sallë, ka qenë ndërhyrja e koleges tuaj. Një ndërhyrje e pavend dhe absolutisht e padobishme, për të mos thënë turpëruese për kategorinë e gazetarëve, për të gjithë ju dhe të gjithë ne, bazuar në fakte alternative dhe në një kontrast turpërues me kolegen tjetër tuajën nga Maqedonia e Veriut, që në atë vend foli për vendin e vet. Nuk i ra vendit të vet me baltë, të prodhuar në fabrikat e fakteve paralele të botës alternative”.

Gjatë konferencës për shtyp, gazetarja Erisa Zykaj pyeti Borell dhe komisionerin Varhelyi se çfarë mendojnë për mosecjen para të proceseve penale të dosjeve mbi shitblerjen e votës.

Kryeministri Rama, i cili e quajti një sulm ‘në gjuhën e tij’ ndaj shtetit shqiptar.

Edi Rama: “Është mjaft mbresëlënëse të dëgjoj një gjuhën time një deklaratë të pabesueshme që askush nuk është hetuar dhe se asgjë nuk ka ndodhur në lidhje me rastet e dëgjuara për blerje vote ndërkohë që ka 20 njerëz të proceduar dhe që ndërkohë janë në proces e sipër. Janë 20 persona të dyshuar për blerje votash nga të gjitha partitë dhe të shoh këtë dembeli të pashoqe në zemër të Brukselit”. (shih videon më poshtë)

Në të vërtetë, asnjë nga zyrtarët e lartë që dolën në përgjime nuk është dërguar përpara drejtësisë, as ministri Gjiknuri, apo drejtuesit e policisë së Dibrës që flasin me kryeministrin Rama, sipas përgjimeve të publikuara në gazetën gjermane Bild. Kryeministri kishte deklaruar se do ta padiste gazetën, po më vonë u tërhoq. Ai tha se këtë ia kishin kërkuar disa miq, por kjo deklaratë u konsiderua e pabesueshme në qarqet politike dhe ato mediatike.

Përsa u përket kandidatëve me rekorde kriminale, Ministri i Jashtëm i BE Joseph Borrell tha se partitë politike në Shqipëri duhet të sigurojnë lista kandidatësh me integritet.

Joseph Borrell: “Lidhur me zgjedhjet që do ketë në Shqipëri, ne theksojmë nevojën që të gjithë të bëjnë të pamundurën që të sigurojnë që listat e kandidatëve të kenë njerëz me integritet, kyçe që tregon se vendi do ta luftojë korrupsionin, e lufta ndaj korrupsionit eshtë kyçe për BE”.©f Zoom.al